E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Rama nuk ka para, ma lini mua Unazën e Madhe

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, vazhdon të mos tërhiqet nga ideja për të marrë përsipër projektin e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. Pasi i ka dërguar një letër kreut të bashkisë, Edi Rama, ministri doli dje në një konferencë për shtyp, duke thënë se "kanë kaluar 22 ditë nga oferta dhe kryebashkiaku nuk jep përgjigje, duke e lënë pezull projektin e më të madh të Tiranës". Me një gjatësi prej 5.5 kilometrash dhe me vlerë investimi rreth 20 milionë euro, ndërtimi i Unazës së Madhe vazhdon të mbetet peng i debateve politike mes bashkisë dhe ministrisë, të nisura që prej një viti. Ndërsa ministria ka akorduar fondet për shpronësimin e 180 ndërtimeve pranë Unazës, vet drejtuesit e bashkisë pretendojnë që nuk janë lëvruar shumat. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës deklaron se i ka të gjitha kapacitetet financiare për të ndërtuar Unazën, kurse ministria reagon duke i kërkuar kryebashkiakut të tregojë fondet që pretendon se i disponon. Këto dy qëndrime janë përplasur mes ministrisë dhe bashkisë në këto nëntë muajt e fundit.
"I kam dërguar një kërkesë zyrtare kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Rama që të vërë në dispozicion të MPPTT projektin e zbatimit të Unazës, të segmentit nga Ura e Shkollës Teknologjike deri në kryqëzimin te Rruga e Elbasanit. Ne kemi të gatshme fondet dhe u vumë në dispozicion për të ndihmuar bashkinë në këtë projekt me qëllimin e mirë që ky të realizohet sa më shpejt", tha dje Olldashi. Ministri deklaroi se nuk ka marrë ende përgjigje nga Rama, edhe pse kanë kaluar 22 ditë nga oferta për të ndihmuar bashkinë me fonde. "Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare, unë po e ftoj kryetarin e bashkisë në qoftë se vërtet i ka burimet e financimit le t‘i tregojë ato, të dalë e të bëjë publike burimet", u shpreh Olldashi. Ministria e Punëve Publike deklaron se deri tani i ka përcjellë bashkisë rreth 20 ankesa nga banorët që shpronësohen nga segmenti që përshkon Unaza.
E gjithë sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet është rreth 35 hektarë, përfshirë këtu edhe tokë-arë. Ky është parashikimi i bërë nga ekspertët e Bashkisë së Tiranës pas hartimit të projektit për segmentin jugor të kësaj rruge. Projekti i segmentit jugor të saj vazhdon të shtrihet nga kryqëzimi me Rrugën e Kavajës deri në atë me Rrugën e Elbasanit. Kjo pjesë e Unazës së Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometrash dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat prapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut për t‘u lidhur me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›