E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça mbetet pa trajner

Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 22 maj 2011 në ora 13:09

Kampioni aktual i Kosovës, Trepça ka mbetur pa trajner. Gazeta Express ka mësuar se trajneri i deritanishëm, Nazmi Rama është larguar nga ky post. Rama ditëve të fundit nuk është paraqitur fare në seancat stërvitore të ekipit, të cilat po zhvillohen nën udhëheqjen e ndihmësit të tij, Fidaim Haxhiu.

Expressi ka provuar të shtunën të kontaktojë me Ramën për t’i mësuar arsyet e largimit të tij, por kjo ka qenë e pamundur.

Ndërsa, sekretari i klubit gjelbërezi, Hajrullah Haxhiu pranoi se Rama nuk është duke u paraqitur në stërvitjet e ekipit, por hezitoi ta zyrtarizojë dorëheqjen e tij. “Rama nuk është paraqitur në stërvitje prej ndeshjes me Besën. Ekipin po e udhëheqin ndihmësit e tij, të cilët Rama i ka njoftuar se nuk është mirë me shëndet. Diçka konkrete nuk ka”, tha Haxhiu për Express.

Megjithatë, Haxhiu bëri me dije se Trepça deri në fund të këtij kampionati do të udhëhiqet nga Fidaim Haxhiu.

“Në këto ndeshjet e fundit, ekipin do ta udhëheqë Fidaim Haxhiu, nëse Rama nuk bën më mirë. Kurse, pas përfundimit të kampionatit, do ta shqyrtojmë çështjen e trajnerit, se cili njeri do ta udhëheqë ekipin në sezonin e ardhshëm”, përfundoi Haxhiu

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›