E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi nuk vendos për titull

Derbi i Italisë ndërmjet Milanit dhe Juventusit, i cili do të zhvillohet sonte në San Siro, nuk vlerësohet si vendimtar nga akterët e tij.

Rossonerët kryesojnë në tabelën e Serie A me një pikë më shumë se Bianconerët, të cilët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Për këtë shumëkush e konsideron këtë sfidë si vendimtare për titull. Por, kështu nuk mendon edhe trajneri i kampionëve aktualë Massimiliano Allegri.

“Neve na nevojitet vetëm ta përgatisim mirë ndeshjen. Skuadra e Milanit është e fortë, më vjen keq që, megjithatë, nuk është Ibra. Më vjen keq që nuk do të jenë as Boateng, Maxi Lopez, Aquilani, Flamini, Gattuso dhe të tjerë të lënduar. Do të ishte mirë t’i kishim të gjithë në dispozicion. Mirëpo, skuadra është e gatshme për ta bërë një lojë të rëndësishme. Kjo ndeshje megjithatë nuk është vendimtare”, tha Allegri për Milan Channel.

“Lojtarët e Juventusit vrapojnë shumë, luajnë me intensitet të lartë dhe ne duhet të jemi të gatshëm”, shtoi ai.

Edhe mbrojtësi i ekipit nga Torino, Giorgio Chiellini mendon njëjtë si trajneri kundërshtar. Futbollisti italian e sheh të rëndësishëm këtë ballafaqim, por jo edhe përcaktues për titull të kampionit.

“Milani mbetet i fortë edhe pa Ibrahimovicin, sepse ka shumë yje në ekip. Mendoj se pa Ibrën do ta shfaqin edhe më shumë vlerën e tyre. Nuk mendoj se do të jetë një sfidë vendimtare, pasi që ka ende për t’u luajtur këtë sezon. Mungojnë edhe 12 ndeshje”, tha Chiellini për Sky Sport.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›