Derby e Huddersfield pas Kuqit

Shefki Kuqi do të vlerësojë opsionet e tij gjatë fundjavës para se të vendosë se ku qëndron e ardhmja e tij, pas largimit nga Swansea City. Sulmuesi 34 vjeç është futbollist i lirë, pas shkëputjes së kontratës së tij në marrëveshje të përbashkët me klubin. Ish-skuadra e tij, Derby County si dhe Huddersfield Town spekulohet se kanë shprehur interesim për Kuqin.
“Do të pres vikendit dhe të shikoj se çka do të ndodhë. Ka pasur bisedime, por asgjë nuk është nënshkruar dhe asgjë nuk është e garantuar”, tha Kuqi të premten për mediet angleze. Për shkak se është futbollist i lirë, Kuqi do të ketë mundësi të gjejë një klub të ri edhe pas përmbylljes së afatit kalimtar të janarit. Ai është larguar nga Swansea me rekord të jashtëzakonshëm që sa herë ka shënuar gol, ekipi i tij ka fituar ndeshjen. Tani Kuqi kërkon skuadrën e tij të nëntë në Angli, përveç nëse kthehet te ndonjë ekip i mëparshëm.