E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqen Beqiraj

Fatos Beqiraj po shkëlqen në fazën përgatitore me Dinamo Zagrebin, derisa është zgjedhur futbollisti më i mirë i turneut ‘Andrija Ankovic’. Sulmuesi kosovar, i cili ka synime të mëdha, premton se nuk do të ndalet me kaq. Nga Express më 29 janar 2011 në ora 12:19

Fatos Beqiraj është njëri nga lojtarët më të mirë të Dinamo Zagrebit, në fazën përgatitore për pjesën e dytë të sezonit.

Madje, sulmuesi kosovar është zgjedhur futbollisti më i mirë i turneut memorial ‘Andrija Ankovic’, ku, përveç Dinamos, pjesëmarrës ishin edhe Gosk, Siroki Brieg dhe RNK Split.

Por, ish sulmuesi i Besës nga Peja edhe në pjesën e parë të kampionatit ka marrë lëvdata nga trajneri Vahid Halilhodzic dhe stafi i gjigantit kroat për paraqitjet e tij.

“Gjëja kryesore është që kam krijuar vetëbesim, por unë nuk mendoj të ndalem këtu. Dua të arrij synime edhe më të mëdha sepse të mëdha nuk janë vetëm synimet e mia, por edhe të klubit. Komplimentet e trajnerit më shërbejnë për të më motivuar më tepër dhe nëse edhe pas Antalisë në vazhdim të sezonin paraqitem ashtu sikurse në katër muajt e parë në Dinamo, trajneri do të ketë edhe më tepër arsye të më besojë”, ka thënë Beqiraj në një intervistë për Index.hr.

22 vjeçari, i cili gjatë verës së vitit të kaluar nga Buduçnost erdhi në Dinamo, ka treguar se edhe adhuruesit e futbollit në Kosovës janë shumë krenarë me të, derisa e këshillojnë se nuk duhet të ndalet me kaq, por të vazhdojë përpara.

Pjesën e parë të kampionatit Dinamo Zagreb e ka përmbyllur në krye të tabelës me 45 pikë të tubuara, pesë më shumë se rivali i përbetuar Hajduk nga Spliti.

“Pesë pikë nuk janë epërsi e madhe ndaj së cilës mund të lehtësohemi, andaj edhe më tutje duhet që në çdo ndeshje të kërkojmë fitore. Jam i bindur se nga pranvera do të luaj edhe më mirë”, ka theksuar kosovari.

Ish futbollisti i klubit malazez Buduçnost ka lavdëruar selektorin e Malit të Zi, kroatin Zlatko Kranjçar për punën që po bën. Beqiraj beson se Mali i Zi mund të kualifikohet në Kampionatin evropian 2012, nëse e mposhtin Bullgarinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›