E Diel, 1 Nëntor 2026

Një përpjekje e dështuarNga Agim I. Tartari* Përpjekja e qeverisë për t’i gjetur një “zgjidhje” problemit të tokave që kanë mbetur të papunuara është një përpjekje e dështuar pa u filluar ende. Zanafilla e kësaj gjendjeje është këmbëngulja për të nxj

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Një përpjekje e dështuarNga Agim I. Tartari*

Përpjekja e qeverisë për t’i gjetur një “zgjidhje” problemit të tokave që kanë mbetur të papunuara është një përpjekje e dështuar pa u filluar ende. Zanafilla e kësaj gjendjeje është këmbëngulja për të nxjerrë dhe “zbatuar” ligjin nr. 7501, dt. 30.07.1991, për të cilin është folur dhe shkruar kaq shumë. Po përse ky ligj nuk qe e mundur të jepte rezultatet që priteshin nga autorët, përkundrazi dha rezultatet e kundërta?

Sepse hartuesit e këtij ligji nuk patën parasysh dallimin që ekziston midis së drejtës dhe legjislacionit, midis jus dhe lex. Për të qenë më i thukët, e drejta mund të përkufizohet si bashkërendimi objektiv i veprimeve të ndryshme midis subjekteve sipas një parimi etik. Kemi të bëjmë, pra, me një vlerësim etik,për një marrëdhënie konstante që ekziston midis moralit dhe së drejtës, sepse që të dyja përmbajnë norma për të rregulluar veprimin e njerëzve. Por, në të njëjtën kohë bëhet fjalë edhe për një pozitë logjike të ndryshme, nga e cila rrjedhin karakteristikat diferenciale të tyre në vlerësimin e veprimeve njerëzore, karakteristika që janë:

a. E drejta niset nga aspekti i jashtëm, kurse morali niset nga karakteristika të brendshme, të psikikës;

b. E drejta përfaqëson një kufi në veprimet e njeriut: në se dikush e tejkalon këtë kufi, ai mund të detyrohet që ta respektojë atë; kurse morali nuk ka një karakter të tillë detyrues;

c. E drejta është më e përcaktuar se morali. E drejta është minimumi etik i domosdoshëm për një bashkekzistencë civile, ose ajo është ajo pjesë e etikës, e cila vendos bazat e bashkëjetesës midis njerëzve.

Shoqëria njerëzore nuk mund të konceptohet pa të drejtën: ubi societas, ibi jus. Në dallim nga e drejta, vlerësimi moral është subjektiv dhe i njëanshëm.

Por e drejta nuk është e njëjtë me ligjin. Ligji është mendimi i ndërgjegjshëm i vendosur nga një bashkësi e caktuar njerëzish, i shprehur nga organet e posaçme të saj. Pra, e drejta nuk mund të barazohet me ligjin, i cili është vetëm përcaktimi i asaj që mund ose duhet të bëhet dhe asaj që nuk mund ose nuk duhet bërë në një çast të dhënë historik.

Po të kemi parasysh konsideratat e sipërme, do ta kemi të lehtë të dallojmë gabimin e teorisë marksiste lidhur me përkufizimin e së drejtës. Marksi dhe Engelsi, qysh në Manifestin Komunist, thoshin se e drejta nuk është gjë tjetër veçse vullneti i klasës borgjeze i ngritur në ligj (Vepra të Zgjedhura, v. I, fq. 37, bot. Shqip), duke mos njohur kështu elementet konstante e themelore të së drejtës dhe duke e barazuar të drejtën me ligjin.

Edhe hartuesit e ligjit nr. 7501 “për tokën” kujtuan se nuk kishte asnjë rëndësi nëse parimet frymëzuese vinin ndesh apo jo me parimet e së drejtës, për ta mjaftonte të bëhej një ligj, pavarësisht se parimet mbi të cilin mbështetej ky ligj ishin në kundërshtim me parimet e së drejtës.

Një nga parimet e së drejtës që duhej të zbatohej ishte dhe neni 17 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, i cili parasheh se “çdo njeri, qoftë vetëm për vetëm apo me të tjerë, ka të drejtën e pronës. Askush nuk mund të privohet arbitrarisht nga prona e tij”. Kjo Deklaratë është miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB me rezolutën 217 A (III), 10 dhjetor 1948.

Në kuptim të kësaj, marrja e tokës pa shpërblim, për të vetmen arsye se ishte pronë private, ishte absolutisht e paligjshme dhe në kundërshtim me parimet e së drejtës. Si të tillë konsiderohen jo vetëm ligji nr. 108, dt. 29.08.1945 “për reformën agrare” dhe ndryshimet që iu bënë, por dhe detyrimi për krijimin e kooperativave bujqësore, në të cilat përfshiheshin 98% e familjeve bujqësore dhe kishin 99% të sipërfaqes së tokës, që formalisht i ishte njohur fshatarësisë (sipas raportit të Byrosë Politike të KQ të PPSh në plenumin II, qershor 1964, fq. 7).

***

ǒtë re solli ligji nr. 7501?

Nuk rregulloi aspak padrejtësitë që u ishin bërë pronarëve të tokës bujqësore, pohoi edhe një herë parimin leninist që toka i përket atij që e punon. Qeveritarët e asaj kohe dhe socialistët që erdhën më pas e bënë veshin e shurdhër si ndaj reagimeve të brendshme ashtu dhe ndaj Rezolutës nr. 562, dt. 13 tetor 1993 të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA në të cilën thuhej se kjo Dhomë “...inkurajon vendet, që ende nuk e kanë bërë, t’u kthejnë pronën e shpronësuar padrejtësisht pronarëve të ligjshëm ...” si dhe ndaj Rezolutës nr. 19, dt. 9 prill 1997 të Senatit të SHBA që po ashtu “...inkurajon vendet, që ende nuk e kanë bërë, t’u kthejnë pronën e shpronësuar padrejtësisht pronarëve të ligjshëm...”.

Problemi i kthimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist në Shqipëri trajtohet edhe në dokumentin nr. 11115, dt. 20 dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila u referohet edhe neneve 41 dhe 181 të Kushtetutës shqiptare.

Këto reagime nuk janë rezultate tekash, por rezultate konceptimesh të ndryshme mbi të drejtën dhe ligjin në krahasim me shtetarët shqiptarë.

Është e pamoralshme që toka e dikujt, të cilën e ka blerë, të merret pa asnjë shpërblim dhe t’i jepet dikujt tjetër pa asnjë shpërblim, kurse pronarit të ligjshëm, në rastin më të mirë, i mbetet një dokument që “do të kompensohet”. Por edhe kjo është e padrejtë, sepse ky kompensim do të dalë nga taksat dhe tatimet që do të mblidhen nga persona që nuk kanë asnjë lidhje me këto prona. Përse duhet të paguajnë të gjithë qytetarët që një pjesë të pasurohet pa paguar gjë? Një situatë e njëjtë edhe në rastet e “legalizimeve” të ndërtimeve pa leje, ku si “ndëshkim”, shkelësi i ligjit fiton jo vetëm legalizimin e ndërtimit, por edhe truallin që mund të jetë i regjistruar në emër të dikujt tjetër. Nuk është gjithë kjo në kundërshtim me nenin 11 të Kushtetutës që sanksionon se “sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike....”?

Tani propozohet që tokat e mbetura djerrë të vihen në dispozicion të dhjetarëve (komunave), të cilët pastaj t’i japin kundrejt një të dhjetës që do ta marrë “pronari”, i cili deri sot nuk ka paguar asnjë qindarkë, as për t’u bërë pronar dhe as për ta mirëmbajtur këtë tokë, dhe të cilit, po sipas ligjit nr. 7501, duhej t’i ishte marrë me kohë!

Përse edhe ky ligj që po përgatit Ministria e Bujqësisë nuk do të ketë më tepër fat se vetë ligji nr. 7501? Për arsyen e thjeshtë se edhe ky ligj nuk respekton të drejtën e njëmendët të pronësisë, sepse marrja e tokës së atij që është zhveshur prej saj në mënyrë arbitrare nuk mund të konsiderohet drejtësi. Veç kësaj, procedura të tilla vetëm sa shtojnë shpenzimet dhe detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve dhe nuk zgjidhin asnjë problem konkret. Po sikur, larg qoftë, toka t’i ishte kthyer pronarit dhe shteti të mos merrte asnjë detyrim për kompensim, sa do të lehtësohej buxheti shtetëror? Dhe, a nuk do të ecte më mirë bujqësia jonë, e cila, në vend që të importojë edhe prodhimet më të thjeshta, të eksportonte? Është ngulur gjithmonë këmbë se 60-70% e popullsisë së Shqipërisë është fshatare! Por ky nuk është një problem juridik dhe prandaj nuk mund të zgjatem në këto probleme.

Po të kemi parasysh sa sipër, si dhe karakterin e ligjeve të nxjerra nga viti 1991 deri sot, përfundimi që mund të nxirret është se një pjesë e tyre, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtën e pronësisë, nuk u përgjigjen kërkesave të së drejtës. Ato mund të përfshihen në atë që quhet e drejtë pozitive, por në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se përmbushin karakteristikat e së drejtës në përgjithësi. Si ligje, ata që i nxorën dhe i zbatuan deri sot, u nisën nga premisa krejt të tjera, që nuk kanë të bëjnë aspak me kërkesat e së drejtës. Mendoj se duhet të ndërrojmë drejtim dhe, në vend që të përpiqemi të vëmë andra, të përpiqemi të identifikojmë dhe të ndjekim rrugët e vërteta që do të na japin të drejtë të pretendojmë të vemi në Evropë dhe të qarkullojmë lirisht.

* Avokat i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›