E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama e Malaj shpallin kandidaturën për kryetar të PS, Ben Blushi i pasigurtNga Tema Edi Rama do të rikandidojë për postin e kryetarit të PS-së. Ai konfirmoi rikandidimin e tij në një intervistë dhënë për një të përditshme, ndërsa ka shpjegu

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama e Malaj shpallin kandidaturën për kryetar të PS, Ben Blushi i pasigurtNga Tema

Edi Rama do të rikandidojë për postin e kryetarit të PS-së. Ai konfirmoi rikandidimin e tij në një intervistë dhënë për një të përditshme, ndërsa ka shpjeguar edhe arsyet të cilat çuan në vendimin e tij për të rikandiduar.

“Po, unë do të rikandidoj për kreun e Partisë Socialiste. Dhe lejomëni të shtoj se jam krenar që sot, pas një procesi zgjedhor dramatik, jo vetëm për ne socialistët, po për demokracinë në Shqipëri, partia që kam drejtuar e reformuar për katër vjet me radhë, është një hapësirë ku ka liri për ekspozimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe mundësi konkrete për të vënë në provën e konkurrencës demokratike çdo alternativë drejtimi në një moment kur kjo forcë e madhe politike duhet e do të ristartojë”, shprehet Rama.

Edi Rama e Arben Malaj janë deri tani dy kandidatura të shpallura publikisht për postin e kryetarit të PS-së. Në intervistat e dhëna për mediat, Edi Rama e Arben Malaj shpallën kandidimin për postin e kryetarit të PS-së, ndërsa Ben Blushi ende nuk e ka artikuluar qartë nëse do të jetë kandidat për kryetar i PS-së, apo jo. I pyetur nëse do të kandidojë apo jo, Blushi përgjigjet: “Unë mund të them se ajo që më intereson më shumë sot është Partia Socialiste dhe pastaj kryetari i saj. Nëse kjo ju duket një lojë fjalësh për të mos thënë të vërtetën, apo për të mos u përgjigjur, merreni si të doni. Por unë besoj se PS dhe opozita kanë nevojë të gjejnë një projekt bashkimi, kanë nevojë të ecin majtas dhe jo djathtas, kanë nevojë për një start të ri dhe mbi të gjitha kanë nevojë për një rrugë të re. Meqë dikur e kam krahasuar PS-në me një autobus, po e vazhdoj aty ku e kam lënë duke thënë se, sot PS ka nevojë të gjejë rrugën dhe pastaj shoferin. Rruga është vetëm një, ndërsa shoferët mund të jenë më shumë se kaq dhe kjo është ajo që më dallon nga shumë kolegë që mendojnë se ka vetëm një shofer dhe asgjë tjetër”, tha Blushi.

Statuti aktual i PS-së nuk e ndalon rikandidimin e Ramës për postin e kryetarit e PS-së. Statuti shprehet për ndërprerje të mandatit të kryetarit, ndër të tjera edhe në rastin kur humbet zgjedhjet e përgjithshme, por nuk ka asnjë pikë, e cila ndalon rikandidimin e tij për këtë post.

“Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: jep dorëheqjen; partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP)”, thuhet në nenin përkatës të statutit të PS-së.

Por platforma e Ben Blushit, e cila pritet të propozohet për miratim në kongresin e 29 gushtit, parashikon ndryshime në statut pikërisht në pikën për rikandidimin ose jo të kryetarit të partisë, kur partia humbet zgjedhjet. “Të sqarohet përfundimisht në statut çështja e rikandidimit të kryetarit të PSSH, në rast humbje të zgjedhjeve të përgjithshme”, thuhet në një ndër pikat e platformës Blushi.

Në pikën e parë të nenit përkatës të statutit të PS-së thuhet se: “Kongresi i Partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen”.

Por, sipas burimeve në PS, kongresi i jashtëzakonshëm i socialistëve, i cili do të mbahet në 29 gusht, do t’i përmbahet dy pikave të rendit të ditës të miratuara në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, miratimin e rezolutës për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare dhe nisjen e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së pas humbjes së zgjedhjeve. Në kongres nuk do të ketë asnjë analizë për rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi pika e parë, ajo e rezolutës së mosnjohjes së zgjedhjeve, e rrëzon analizën e rezultatit. Disa prej strukturave lokale të PS po mbështesin këtë qëndrim, madje duke kërkuar edhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Përballë kësaj alternative, e cila do të udhëhiqet nga kryetari aktual Edi Rama, gjenden deputetë dhe zyrtarë të tjerë të PS-së, të mbledhur rreth Ben Blushit, të cilët do të kundërshtojnë këtë qëndrim të PS në kongresin e 29 gushtit. Kjo pritet të jetë edhe pika ku dhe do të përqendrohen më shumë debatet midis dy grupimeve në PS. Grupi i deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë kërkojnë njohjen e humbjes dhe bërjen e një analize të thellë për të parë shkaqet që çuan socialistët në këtë humbje. Vetë Ben Blushi është shprehur dy ditë më parë në një të përditshme se Edi Rama nuk duhet të rikandidojë.

Kongresi i jashtëzakonshëm socialist i 29 gushtit zhvillohet pas humbjes së kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit dhe nevojës për zgjedhje të reja në PS, pikërisht për zgjedhjen e kryetarit të PS, pasi sipas statutit të kësaj partie, kryetarit i ndërpritet mandate kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme. Sipas statutit të PS-së, përfaqësia e Kongresit administron kandidaturat për Kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PSSH duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH. Kandidatët për kryetar të PSSH paraqesin në Kongres platformat e tyre. Kongresi vendos datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PSSH sipas parimit një anëtar një votë, jo më vonë se dy muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Sipas statutit, dita e votimit për kryetarin e PS-së do të jetë jo më vonë se sa 29 tetori i këtij viti.

Për dy muaj radhë, duke nisur qysh më 29 gusht, zhvillohet beteja reale midis kandidatëve për kryetar të PS-së, deri në ditën e zgjedhjeve. Më pas, dalja e rezultatit të zgjedhjeve, të cilat do të kryhen sipas parimit “një anëtar, një votë”, ku anëtarësia zgjedh midis kandidatëve, mund të shoqërohet edhe me kontestime të procesit qysh në hartimin e listave të anëtarësisë, procesin e votimit, si dhe atë të numërimit të votave. Kontestime të rezultatit të zgjedhjeve në PS, apo të të gjithë procesit zgjedhor ka pasur në vitin 2007, kur Edi Rama u zgjodh në krye të PS-së sipas parimit “një anëtar, një votë”. Disa krerë të PS-së në kryeqytet kontestuan procesin qysh në hartimin e listave të anëtarësisë, ku dhe u pretendua se në listën e votuesve të PS-së, ishin përfshirë njerëz që s’kishin të bënin me PS-së, por që ishin në ato lista për të shtuar numrin e anëtarëve të PS-së që votojnë për Ramën si kryetar. Një ndër problemet më serioze të procesit të zgjedhjes së Edi Ramës në krye të PS-së në vitin 2007 ishte edhe dorëheqja e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në PS, Zamira Caka, e cila dha dorëheqjen dy orë para përfundimit të procesit të numërimit të votave, duke deklaruar se procesi po manipulohej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›