E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse? Nga Ben Andoni Kur flitet për Çamërinë dhe vuajtjet e saj, ka një si inflacion fjalësh. Gjenden justifikime, pastaj ndërsa politikanët shqiptarë me akrobaci të shëmtuara shmangen. Mbase, kjo ka qenë një nga gjërat që duhet të ketë pasur në kok

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Përse? Nga Ben Andoni

Kur flitet për Çamërinë dhe vuajtjet e saj, ka një si inflacion fjalësh. Gjenden justifikime, pastaj ndërsa politikanët shqiptarë me akrobaci të shëmtuara shmangen. Mbase, kjo ka qenë një nga gjërat që duhet të ketë pasur në kokë ekuipazhi i dokumentarit mbi Çamërinë. I realizuar nga ‘Bota Shqiptare’ me mbështetjen e Institutit Çamëria, ai ka shkuar në një rrugë të thjeshtë: Ka paraqitur në celuloid dëshmitë e njerëzve të gjallë të kohës. Për fat të mirë, janë shumë të gjallë që edhe pse jetojnë vitet e moshës së tretë dëshmojnë realisht atë që ndodhi. Filmi, që mban si regjisor Kujtim Gjonaj dhe Sajmir Bajon me skenarist Genti Gjonajn dhe kameran e Ilia Tërpinit, shkon në histori përmes tyre. Si jetonin bashkë; Dëshmitë; Masakra; Dëbimi...

Do të mjaftonin sekuencat e saj për të parë sesa e vështirë ka qenë jeta e çamëve dhe sakrifica e tyre. Nuk ka dëshmitar të dokumentarit, që të mos ketë disa të vrarë në familje dhe ajo që të rrëngjeth është se në shumicën prej tyre të rasteve, ata kanë qenë dhe vetë dëshmitarë okularë. Dokumentari është i gërshetuar me dokumente të personaliteteve të ndryshme, që bëjnë thyerjen e këtyre dëshmive dhe pastaj imazhe fotografike. Në film flet edhe gazetari i njohur grek Tasos Teloglu:“Po, mbi çamët është bërë spastrim etnik. Gjenocid nuk mund të them, por diçka e ngjashme me atë që kemi parë në ish-Jugosllavi”. Në fakt nuk mund të mëdyshosh, për shembull, autorët grekë si, Muselimi që në “Historiqi pripatiana tis Thesprotias”, faqe 8, Selanik 1976, citon deklaratën e Zervës, ideatorit të spastrimin etnik, bërë një mikut të tij, Niko Popoviti: “Shko ndriçoji bashkatdhetarët e tu, mbi atë që spastroi Çamërinë nga shqiptarët”.

Në fakt, kujt i duhet veç historisë Bilanci i veprës zerviste, që na shpaloset në këtë dokumentar, është i frikshëm: 2500 të vrarë; 2000 të vdekur rrugës; 745 gra të dhunuara; 102 xhami të shkatërruara. Është vërtetë një ironi, që çamët që u etiketuan si bashkëpunëtorë të fashizmit, u spastruan nga gjenerali Zerva, që ka qenë vetë bashkëpunëtor i madh i fashizmit, sipas arkivave të Vermahtit, dhe që u detyrua të jepte dorëheqje, pas presionit amerikan për faktet e bashkëpunimit me gjermanët.

Por dokumentari ka meritën se mundohet të ruajë një ekuilibër të qëndrueshëm dhe të shpalosë si duhet çështjen Çame, pa e tepruar. Mw tutje, wshtë një citim interesant i numrit dy të Ambasadës Amerikane në Greqi, John Brady Kesley që lexohet në mes të këtyre dëshmive:“Çamët ishin pronarë të mëdhenj tokash, që të frustruar nga shpronësimet e vazhdueshme, përqafuan deri-diku pushtuesit, por ndërsa bashkëpunëtorët kuislingë grekë patën rastin të konvertoheshin në antikomunistë, çamëve nuk ju dha ky shans!”..Epilogu i kohës është i dhimbshëm: “Rajonet e Paramithisë dhe Filatit, që unë vizitova në korrik, janë 100% greke. Metodat e Zervës, janë shumë të këqija...”, thotë shefi i Misionit Aleat në Greqi, J. M. Wodhouse.

Më shumë akoma, grekët kanë folur dhe përmes dokumentacionit të tyre. Historiani grek Zhongo, në një nga veprat e tij deklaron se:”Sikur shqiptarët e Çamërisë të ishin vrasës dhe kriminelë do të ishin zhdukur të gjithë fshatrat e krishtera të Çamërisë, që ishin rreth fshatrave myslimane” (Zhongo,”Anglikos qe ethniqiantistosi. .. vell I-fq.146) . Në dokumentar, kjo është dhënë me nderimin e të mbijetuarve çamë për fqinjët e tyre grekë dhe sesi shpesh ata fqinjët e tyre i kanë mbrojtur nga bandat e egra. Në fakt, kaq mjafton nga ana dokumentare, por imazhi i filmit jep me dhimbje se çfarë bëri vendi ynë fqinj ndaj tyre dhe mbi të gjitha indiferencën e sotme të politikës, që mundohet ta fshijë me kujdes këtë problem.

Vetëm se kur e shikon dokumentarin nuk mund të mëdyshosh më: Dhimbja të bën të vuash dhe kur kjo bëhet në kurrizin e patriotit tënd është e padurueshme. Sa mund të ketë arritur qëllimin e tij dokumentari? Kjo është një pyetje brenda Pse-së së filmit, por që gjithsesi është bërë një rrugë e mirë, që njerëzit të ndërgjegjësohen për vuajtjen e madhe të shqiptarëve dhe një plage...që duhet thënë se është e hapur. Në fund, por fjalë të mira duhet thënë për qëllimin e realizimit të këtij dokumentari dhe për të gjithë ekipin krijues të tij. Teknikisht, mund të ishte realizuar dhe më mirë, me teknikat e sotme filmike, por mesazhi në këtë rast është më i lartë se elementët teknikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›