E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgesat e parave vazhdojnë me intensitet nga emigrantët



Emigrantët mbeten klientët kryesorë të agjencive të këmbimit valutor dhe atyre të transfertave të parave. Raporti i këtyre agjencive me emigrantët, apo thënë ndryshe fluksi i punës alternohet për periudha të ndryshme. Agjencitë e këmbimit valutor kanë një vëllim të lartë të fluksit të shkëmbimeve gjatë sezonit të verës dhe në prag të Vitit të Ri. Ardhja e emigrantëve pikërisht në këto periudha bën që ata të paraqiten në mënyrë direkte pranë sporteleve. Sipas operatorëve në Agjencitë e këmbimit valutor, “gjatë dy muajve të fundit ka patur një rritje prej 50 për qind të vëllimit të shkëmbimeve (duke vlerësuar hyrjet e klientëve) krahasuar me muajin qershor”. Për të njëjtat periudha fluksi i transfertave bie pothuajse tërësisht. Sipas operatorëve të agjencive valutore, volumi i transfertave arrin deri në 10 për qind të volumit që realizohet gjatë muajit shkurt apo mars. Periudha janar-mars vlerësohet nga operatorët e zyrave të transfertave që veprojnë në treg si periudha me nivel më të lartë të transferimit të parasë. Konkretisht, hyrjes së monedhës së huaj në vend. Raporti mes tyre dhe emigrantëve duket të mos ketë ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve, ndryshe nga biznese të tjera që bëjnë gjithçka për të tërhequr klientët e tyre të rinj. Nevoja në mënyrë automatike për të këmbyer para, duke i sjellë ato në mënyra të ndryshme (vetë, apo përmes dërgesave) i bën agjencitë të mos vuajnë frikën e largimit të emigrantit.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›