E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i floririt, bankat duhet të bëjnë furnizimin e argjendarive dhe punishteve



Ervin Koçi

Njësoj si tregu i shkëmbimit valutor, që ka mbetur abuziv me gjithë përpjekjet e shtetit për ta futur në ullukun ligjor, në të njëjtën situatë ndodhet sot edhe tregu i metaleve të çmuara. Ari, argjendi, platini dhe gjithfarë metalesh të tjera me vlerë vazhdojnë të shiten në mënyra krejt primitive edhe në dyqanet dhe argjendaritë më luksoze dhe asnjë klient nuk arrin ta përcaktojë dot cilësinë dhe as peshën e bizhuterisë që blen. Deri tani as doganat shqiptare dhe as ndonjë subjekt tjetër privat nuk kanë mundur të kenë një laborator që të tregojë realisht cilësinë e bizhuve në flori ose në argjend. Mirëpo krahas spekulimit me cilësinë, nga e cila argjendarët fitojnë më së shumti, mungon dhe pesha, që është një tjetër marifet ku argjendarët abuzojnë duke vjedhur klientin e pazot. Aktualisht dyqanet e floririt nuk i kontrollon askush. Askush nuk u jep garanci konsumatorëve për gurët e çmuar dhe as për floririn, i cili shitet për 14 karat, por mund të jetë i përzierë me argjend, bakër apo me metale të tjera në përqindje të lartë papastërtish. Kështu, qytetari kujton se blen 7 gramë flori, kur në varësen e tij mund të ketë vetëm 4 gramë flori. Nga ana tjetër, peshoret elektronike të shitësve janë tërësisht jashtë kontrollit. Shkoni e peshoni një unazë në argjendari të ndryshme dhe do të bindeni për këtë. Drejtoria e Peshëmatjes dhe Meteorologjisë nuk ka ushtruar kontrolle në këto njësi. Por në një kohë kur jemi mësuar të ushqehemi me prodhime pirate ose të skaduara, të vishemi me imitacione, është paradoksale të kërkosh cilësi të saktë të floririt.

Tregu kaotik

Tregu i floririt në vendin tonë vazhdon të jetë kaotik edhe pse Parlamenti ka miratuar vitin që shkoi një ligj për rregullimin e blerjes dhe shitjes së arit. Sipas bazës së re ligjore, bankat e nivelit të dytë do të jenë institucionet që do të furnizonin tregtarët e floririt dhe dyqanet e pakicës, duke u përjashtuar nga TVSH-ja. Por vetë tregtarët, pa dashur të vetëdeklarohen, pohojnë se mënyra e furnizimit dhe e tregtimit vazhdon të jetë e njëjta. Bankat e nivelit të dytë, edhe pse me ligj duhet të furnizojnë tregun, nuk e kryejnë këtë funksion pasi vetë tregtarët nuk i kanë ndryshuar burimet e furnizimit, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me normat e fitimit. Praktikat europiane të tregtisë së floririt janë shumë të rrepta. Tregu është i rregulluar në atë mënyrë sa spekulimi me peshën dhe me cilësinë i çon ata në burg. Ndërsa në Shqipëri siguria se nëse ke blerë atë që ke dëshiruar mbetet më së shumti në ndërgjegjen e tregtarëve. Madje ata që nuk besojnë nuk hezitojnë të aplikojnë provat tradicionale për të provuar cilësinë, duke e kafshuar me dhëmbë copëzën e arit, e të tjera mënyrave që janë aplikuar kur nuk kanë ekzistuar laboratorët.

Furnizimi i tregut

Burimi kryesor i furnizimit me flori të tregut shqiptar mbetet Turqia dhe cilësia vazhdon të jetë ende e pakontrolluar në laboratorët e posaçëm. Tregtarët pohojnë se gjatë një viti futet në vendin tonë rreth 1 ton flori, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël e tij zhdoganohet. Nga ana tjetër, vetë bankat e nivelit të dytë shprehen se argjendarët nuk kanë shprehur interes të furnizohen prej tyre. Aktualisht, tregu vendas funksion në mënyrë informale, pasi tregtarët e floririt nuk deklarojnë ku e blejnë floririn, ndërkohë që ky i fundit futet në vend kontrabandë edhe nga Mali i Zi.

Ligji për arin

Mënyra e llogaritjes së vlerës së arit, e përdorur si lëndë e parë, përcaktohet me udhëzimin e ministrit të Financave. Ndryshimi i vendos të gjitha bankat në pozita të njëjta në treg, si në import, ashtu dhe në furnizimet brenda vendit, duke hequr mundësinë e shtrembërimit të konkurrencës. Banka e Shqipërisë aktualisht nuk shet lingota floriri. Sipas kësaj praktike, lingotën e floririt kjo bankë do t'ua japë bankave të nivelit të dytë, që do t’i furnizojë tregtarët e floririt me çmimin e bursës. Në këtë mënyrë argjendarët nuk do të paguanin TVSH-në mbi bazën e lëndës së parë, por vetëm mbi përpunimin e floririt. Ligji u hartua në këtë mënyrë sipas ekspertëve të Financave, pasi pritej që tregtarët do të lehtësohen nga një barrë e lartë fiskale, ndërsa nga ana tjetër, shteti do të mund të përfitonte nga zhdukja e kontrabandës së floririt dhe vjelja e taksave dhe tatimeve. Por duket se një gjë e tillë, edhe pse detyrohet me ligj, nuk është aplikuar. Ligji, që duket se nuk po funksionon, është propozuar nga vetë Shoqata e Argjendarëve, e cila i ka sugjeruar Ministrisë së Financave ndjekjen e shembullit të Turqisë për funksionimin e tregut të floririt.

Tregtarët matrapazë, për të njëjtin karat japin çmime të ndryshme

Ashtu si valutat, edhe ari në të gjithë botën shitet sipas çmimit që ofron bursa e tregjeve ndërkombëtare. Në Shqipëri jo vetëm që nuk ka të tilla referenca, por për të njëjtin karat në dyqane të ndryshme ka çmime të ndryshme. Vetë tregtarët pohojnë se situata është e tillë për shkak se, burimet e furnizimit (grosistët) janë më së shumti nga tregu i zi. Aktualisht, shumica e dyqaneve të floririt punojnë me fatura blerje, por ato janë fiktive, pasi origjina e blerjes së floririt është tregu i zi, pra malli kontrabandë. Vetë tregtarët e kësaj linje shprehen se nëse zhduket tregu i zi, atëherë të gjithë do të jenë të detyruar të tregojnë origjinën e vërtetë të blerjes së mallit, në mënyrë që organet tatimore të kenë mundësinë të verifikojnë subjektet që kryejnë importin dhe në këtë mënyrë t'i vjelin detyrimet, që ai duhet të paguajë për shtetin. Analistët e ekonomisë në tregjet ndërkombëtare shpjegojnë se, çmimi i arit rritet në tregjet ndërkombëtare sa herë që në ekonominë globale diçka nuk është duke shkuar mirë. Kështu sa herë ulet vlera e dollarit rritet vlera e arit, i cili tregtohet në bursa në këtë valutë.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›