E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku u investuan paratë e emigrantëve këtë verë, sa përfitoi Shqipëria

Raporti i BSH-së flet për shërbimet e reja për emigrantët. Tregu imobiliar dhe depozitat bankare, investimet kryesore

Ervin Koçi

Që të gjithë këtë sezon duket se ishin trajnuar dhe specializuar që të vilnin sa më shpejtë dhe sa më mirë paratë e emigrantëve shqiptarë, të cilët, ashtu si çdo vit, edhe kësaj here nuk mbetën pa sjellë të ardhura në vend. Duke filluar që me bankat, hotelet, agjencitë imobiliare, doganat, ex-change-t e deri tek dyqanet dhe njësitë e shërbimeve, që të gjithë këtë kohë u munduan që t’i “shtrydhnin” deri në fund emigrantët. Të parat ishin bankat private, që zgjeruan gamën e produkteve dhe shërbimeve të tyre për të joshur sa më shumë individë që të bashkëpunonin me to. Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, “sezonin e verës, bankat duket se ua dedikuan tërësisht emigrantëve”. Me fushata publicitare deri tek tabelat publicitare me flamur shqiptar, bankat u përpoqën të tërhiqnin sa më shumë klientë që jetonin jashtë vendit. Kursimet e emigrantëve mbeten një burim i rëndësishëm i depozitave, por ata janë cilësuar edhe si klientë potencialë të huas. Nga vlerësimet e bëra rezulton se emigrantët janë një kategori e rëndësishme e blerësve të pasurive të paluajtshme në vend. Studimi i BSH-së vlerëson se emigrantët kryejnë rreth 30 për qind të blerjeve të pasurive të patundshme. Por, nëse ata kanë një stabilitet më të qëndrueshëm ekonomik në vendin ku jetojnë (çka u jep më shumë garanci bankave), kursimet e tyre duket se nuk mjaftojnë për të blerë një shtëpi në atdhe.

Ofertat e bankave

Bankat tregtare në vendin tonë po i vlerësojnë tashmë emigrantët si pjesë të klientëve të huas. Ato kanë krijuar tashmë produkte të veçanta për këtë kategori klientësh. Banka të ndryshme kanë hedhur në treg produkte si p.sh. “kredi hipotekore për emigrantët”. Por dhe afati i shlyerjes së një kredie në monedhë të huaj është më i gjatë për emigrantët sesa për klientët e tjerë potencialë, të ardhurat e të cilëve janë në lekë. Afati i shlyerjes së kredisë hipotekore për emigrantët në disa banka është 20 vjet, ndërsa shuma maksimale e financimit arrin deri në 500 mijë dollarë (ose ekuivalenti në euro dhe lekë). Pra për ata klientë që nuk mund të ofrojnë një pasuri të paluajtshme si kolateral, për të blerë një pronë ose për të krijuar një biznes, përfshi emigrantët, bankat ofrojnë kredi të veçantë. Këto kredi quhen “Kredi të Nivelit Zero” dhe jepen në bashkëpunim me kompani të ndryshme ndërtimi ose agjenci imobiliare që ndërmjetësojnë në blerjen e pronave të patundshme, që kanë marrëveshje paraprake me bankën që jep kredinë. Për këtë lloj kredie, emigrantët nuk duhet të ofrojnë hipotekë, si garanci do të shërbejë në të ardhmen hipoteka e objektit që po financohet.

Blerja e pronave

Para pak më shumë se dy muajsh, pikërisht kur fluksi i emigrantëve filloi të rritej, disa banka private hodhën në treg oferta të veçanta për blerje të pasurive të paluajtshme nga emigrantët, por edhe të huajt e interesuar. Për emigrantët që kërkojnë të marrin një kredi bankare për ta investuar atë mandej në imobiliare ose në biznese prodhuese, kërkohet si dorëzanës (garant) një person rezident në Shqipëri. Oferta u drejtohej kryesisht shqiptarëve që jetojnë në Britaninë e Madhe, SHBA, Gjermani, Itali dhe Greqi, për të mundësuar përfitimin e një kredie brenda 10 ditësh, nëse dokumentacioni është i plotë. Nëse dikush vjen për pushime apo për arsye të tjera në Shqipëri, koha e qëndrimit është mëse e mjaftueshme për të mbyllur të gjithë procesin e kërkesës për kredi. Afati i shlyerjes së kredisë është deri në 20 vjet dhe bankat ofrojnë financime deri në masën 70 për qind të pasurisë së blerë. Shuma maksimale e financimit që bankat parashikojnë për emigrantët i kalojnë edhe 150 mijë eurot, ndërsa normat e interesit varen nga shuma e huas apo nga fakti nëse klienti ka pasur një depozitë bankare në bankën ku ka aplikuar për kredinë. Dokumentacioni që kërkohet është i ndryshëm për vendet e ndryshme ku jetojnë kërkuesit për kredi, në varësi edhe të mënyrave të deklarimit të të ardhurave që ka secili shtet.

Bankat, frikë për kreditimin e emigrantëve

Bankat private, edhe pse i kanë rritur ofertat dhe kanë shtuar shërbimet joshëse për t’u dhënë kredi emigrantëve, përsëri e shikojnë me mjaft frikë këtë iniciativë. Për ekspertët e bankave private, kreditë për emigrantët janë një produkt relativisht i vështirë, sepse nëse huat do të kenë probleme nuk është e lehtë të menaxhohet situata me klientë që jetojnë jashtë vendit. Por, sipas tyre, ky është një treg shumë interesant dhe shumica e bankave të mëdha po hyjnë në të. Nga studimet e tregjeve specifike, rezulton se formalizimi i të ardhurave të emigrantëve është në nivel më të lartë krahasuar me klientët rezidentë në Shqipëri.

Depozitat e emigrantëve, konkurrencë mes bankave në fleksibilitet

Ekspertët llogarisin se vetëm 40-50 për qind e parave që sjellin me vete emigrantët depozitohen në bankat shqiptare, pasi një pjesë e madhe shkon për blerje pasurish të paluajtshme. Këtë vit niveli i depozitave pritet të jetë edhe më i ulët. Kriza e përgjithshme e çmimeve, sipas parashikimeve të bankierëve, i ka tkurrur kursimet e emigrantëve. Për emigrantët që kanë një pasuri të paluajtshme, apo të paktën nuk duan të investojnë edhe këtë, bankat kanë vënë shërbime të tjera në dispozicion të tyre. Sezoni veror në njëfarë mënyre shpalli edhe “maratonën” e hapur mes bankave të nivelit të dytë për të thithur sa më shumë depozita. Në këtë pjesë të vitit normat e interesit të depozitave pësuan një rritje, por bankat ofruan edhe kushte të tjera për t’i bërë ofertat më tërheqëse, që nga fleksibiliteti i afateve e deri te lotaritë me çmime për depozituesit. Normat e interesit për depozitat 1-vjeçare në euro shkuan deri në 5 për qind, ndërsa për depozitat 1-vjeçare në lek deri në 7.3 për qind. Kursimet e emigrantëve vazhdojnë të zënë një peshë të rëndësishme për të ardhurat në vend. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga emigrantët për vitin e kaluar ishin rreth 947 milionë euro. Dërgesat apo kursimet e tyre përbëjnë 12 -13 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rreth 4-fishin e investimeve të huaja në vend. Megjithatë, sipas vlerësimeve të bankave, më pak se gjysma e këtyre parave përfundojnë të depozituara.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›