E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letrat me vlerë, normat e interesit qëndrojnë të pandryshuara



Banka e Shqipërisë bën të ditur në raportin e fundit të saj, se prej disa muajsh, yield-et (norma e interesit) të letrave me vlerë në tregun primar dhe të bonove të thesarit nuk kanë pësuar luhatje, krahasuar me një muaj më parë. Të dhënat statistikore tregojnë se në muajin qershor, norma mesatare e ponderuar e depozitave në lekë ka qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel me atë të muajit maj, 5.48 për qind ose 0.70 pikë përqindjeje më lart se një vit më parë. Ndërkohë që interesat e depozitave në euro kanë pësuar një rritje të lehtë, mesatarisht prej 0.04 pikë përqindjeje, në 4.02 për qind. Nga ana tjetër, vëren BSH-ja në raportin e saj, norma mesatare e ponderuar e interesit për kreditë në lekë ka vazhduar të ulet në muajin qershor në 12.32%, 0.61 pikë përqindjeje më pak se një muaj më parë. Norma e interesit për kreditë me afat 6 muaj deri në 1 vit është ulur mesatarisht 0.50 pikë përqindje. Ulje të normës kanë pësuar gjithashtu edhe kreditë me afat të gjatë (mbi 5 vjet). Lidhur me këto të dhëna, parashikimet më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se duke filluar nga muaji gusht 2008, inflacioni vjetor do të vazhdojë të luhatet rreth vlerave qendrore të intervalit të tolerancës përgjatë gjithë muajve në vijim.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›