BSH: Kredia në ekonomi këtë vit është rritur me 45 për qind
Bizneset mbeten klientët e preferuar të bankave. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një mbështetje të madhe me financime që bankat e nivelit të dytë po i bëjnë sektorit privat. Në fund të muajit qershor të këtij viti, kredia e dhënë për ekonominë shënoi një rritje prej 45 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kontributin kryesor në këtë zgjerim të kreditimit e ka dhënë rritja e ndjeshme e financimit të bizneseve në valutë. Kjo për shkak të sigurisë më të madhe që ofrojnë subjektet private kundrejt individëve në shlyerjen e kësteve mujore të huas. Por sipas BSH-së, përshpejtimi i ritmeve të kredisë nga muaji qershor e në vazhdim është i lidhur edhe me prezantimin e shumë produkteve promocionale për thithjen e depozitave si edhe nga huat e marra prej bankave mëma. Ajo që vihet re edhe gjatë këtij viti është dominimi i huadhënies në valutë, e cila zë një peshë prej 73 përqindësh në totalin e kredisë së akorduar nga bankat. Si bizneset, ashtu edhe individët preferojnë të marrin kredi në monedhë të huaj, kryesisht në euro, duke përfituar nga interesat më të leverdishme. BSH-ja mbetet e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe politika monetare e saj do të jetë e orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit makroekonomik të vendit, në përputhje me objektivin e saj. Si i vetmi institucion qendror bankar në vend, BSH-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër të gjitha zhvillimet ekonomiko financiare, brenda dhe jashtë vendit, me qëllimin e vetëm për të shmangur maksimalisht çfarëdolloj faktori rreziku, si ndaj stabilitetit makroekonomik të vendit, ashtu edhe ndaj stabilitetit të sistemit bankar. Për këtë arsye, BSH-ja do të vazhdojë të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillim ekonomik e financiar.
3 Shtator 2008