Sherri në lokal, plagoset rëndë pronari i agjencisë së sigurimeve
ELBASAN – Një sherr mes disa të rinjve, i ndodhur mbrëmjen e së hënës, ka përfunduar me përdorimin e armëve në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku mbeti i plagosur pronari i një agjencie sigurimesh në qytetin e Elbasanit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se është plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi Endri Biçoku. Ngjarja ndodhi në orën 9.40 të ditës së djeshme, ku autori i dyshuar është shtetasi Endrit Mehja dhe daja i tij. Sipas burimeve në grupin hetimor shkas për konfliktin me armë është bërë një debat mes Biçokut dhe Mehjes i ndodhur në një nga lokalet e qytetit në orët e vona të mbrëmjes së hënë. Policia ka nisur kërkimet për kapjen e autorëve të atentatit, ndërkohë që i lënduari ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Ngjarja
Teksa ndodheshin në një lokal në qytetin e Elbasanit, mbrëmjen e së hënës, Endri Biçoku dhe Endrit Mehja kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin. Burime për gazetën pohojnë se konflikti ka ndodhur teksa dy personat po pinin dhe për një moment është dashur ndërhyrja e të pranishmëve që ti ndajnë ata. Por, pa kaluar as 12 orë Mehja është ndjerë i fyer nga fjalët e thëna prej Biçokut dhe ka vendosur të hakmerret. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se dy persona kanë ndaluar para një lokali që ndodhet fare pranë agjencisë së sigurimeve në pronësi të 25-vjeçarit, përballë Muzeut Etnografik dhe kanë qëlluar ndaj tij. Ata kanë hapur zjarr ndaj Biçokut me një armë zjarri tip pistoletë, duke e lënë të plagosur në mes të trotuarit. Të pranishëm në vendngjarje kanë qenë me dhjetëra qytetarë. I lënduari është dërguar me shpejtësi nga kalimtarë të rastit dhe forcat policore për në urgjencën spitalore të Elbasanit. Mjekët pohojnë se gjendja e të riut të plagosur, mbetet serioze. Që të dy personat e identifikuar si autorë të krimit, janë shpallur në kërkim, sepse menjëherë pasi lanë të plagosur Endri Biçokun, ata u zhdukën në drejtim të paditur, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes policore.
Hetimi
Vetëm në mbrëmjen e së martës policia identifikoi si autorë të dyshuar të ngjarjes shtetasin Enrit Mehja. Sipas burimeve policore, Mehja ka qenë i shoqëruar edhe nga një person tjetër, që dyshohet të jetë daja i tij. Fillimisht u përfol se autori i përfshirë në këtë krim është shtetasi S. Sanxhaktari, një person i afërm i kryebashkiakut Qazim Sjedini, por burime në grupin hetimor e mohojnë një gjë të tillë. Tashmë pritet që të përmirësohet gjendja e të lënduarit Endri Biçoku, të cilit do ti merret dëshmia në lidhje me këtë ngjarje. Ende nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat e konfliktit të ndodhur dy ditë më parë, i cili përfundoi me plagosjen e 25-vjeçarit Biçoku, i cili ka një agjenci të shitjes së primeve të sigurimeve. Gjithësesi, burimet policore flasin thjeshtë për një përplasje të ndodhur për motive të dobëta në lokal dhe jo për një përplasje që ka lidhje me aktivitetin e personit të lënduar. Gjatë muajve të fundit janë regjistruar mbi 50 raste të përplasjeve mes grupeve të të rinjve në rrethin e Elbasanit, ku në shumicën e rasteve ka pasur të plagosur me armë të ftohta. Pak kohë më parë u regjistrua një tjetër konflikt mes dy grupeve rivale në një fshat të Gramshit, ku mbetën të lënduar tre persona. Rritja e ndjeshme e akteve kriminale tek të rinjtë e Qarkut të Elbasanit ka alarmuar strukturat e rendit.
3 Shtator 2008