E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqi: “Kosova, në fazën finale të pavarësisë”

Këto janë ditët finale gjatë të cilave në Kosovë po zgjidhen edhe disa detaje të çështjeve teknike dhe administrative për shpalljen e pavarësisë. Kjo ka qenë deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuqi, në një intervistë të dhënë për BBC-në. “Kemi patur një angazhim të shtuar muajve të fundit dhe me siguri edhe ditëve të fundit kemi rrumbullakësuar procesin e draftimit final të Kushtetutës së Kosovës dhe po ashtu kemi bërë edhe përzgjedhjen e simboleve të Kosovës që do të dërgohen për miratim në Kuvendin e Kosovës”. Kuqi është shprehur se Kosova tashmë i ka përfunduar detyrat e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare. “Më shumë e më pak, Kosova i ka kryer të gjitha obligimet që janë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe tani ka mbetur vetëm bashkërendimi i hapave, që nënkupton hapin e parë nga Kuvendi i Kosovës dhe i përcjellë menjëherë nga njohja ndërkombëtare”, - ka thënë Kuqi. Sipas tij, vendimi politik për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është marrë dhe po bëhet bashkërendimi i veprimeve me bashkësinë ndërkombëtare. “Ne jemi të angazhuar këto ditët e fundit që serbët e Kosovës ta ndiejnë veten mirë, ta ndiejnë se po hapet një faqe e re e historisë së Kosovës për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe pakicën serbe. Në këtë kuptim, Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran i të gjithë qytetarëve me një perspektivë të re. Atë fat që do ta ketë shumica shqiptare, do ta ketë edhe pakica serbe në Kosovë dhe në raste të caktuara edhe më afirmativ. Ndërsa përsa i përket Beogradit, ata kanë qëndrim të ngurtë dhe politika e tyre nuk dallon nga ajo e mëparshmja apo e bazamentit të 20 vjetëve të fundit dhe ne fatin tonë nuk e kemi më të lidhur me politikën apo qendrat e vendimit në Beograd”, - u shpreh Kuqi, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që të ndihen të sigurt sepse në këtë kohë të zgjidhjes së statusit do të ekzistojë mundësia e sigurisë për të gjithë.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›