E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Sistemi me delegatë në zgjedhjet paraprake presidenciale

Rruga për në Shtëpinë e Bardhë kalon nëpër të gjitha shtetet amerikane përmes zgjedhjeve partiake. Kandidatët duhet të fitojnë fillimisht emërimin e partisë së tyre. Ky vendim merret nga delegatët që dërgojnë degët e partisë nga secili shtet.
Konkurrenti për Shtëpinë e Bardhë, i cili ka siguruar më shumë delegatë, merr emërimin e partisë. Kur të mblidhet Kuvendi kombëtar i demokratëve në Denver të Kolorados më 25 gusht, pritet të marrin pjesë gjithsej 4 mijë e 49 delegatë. Një kandidati i duhen 2 mijë e 25 delegatë për të siguruar emërimin e partisë si konkurrent në zgjedhjet e përgjithshme. Partia Republikane dërgon 2 mijë e 381 delegatë. Një kandidati i duhen 1 mijë e 191 delegatë për të marrë emërimin e partisë. Për të dyja partitë kryesore, delegacioni i secilit shtet përbëhet nga një numër komponentësh. Republikanët e Kalifornisë do të dërgojnë 173 delegatë në Kuvend. 159 prej tyre i përkasin njërit apo tjetrit kandidat, ndërsa 14 të tjerë janë zyrtarë të degës së partisë në Kaliforni ose zyrtarë të zgjedhur. 14 delegatë të tjerë nuk i përkasin asnjë kandidati. Dy partitë kanë sisteme të ndryshme për të caktuar delegatët në kampin e njërit apo tjetrit kandidat. Demokratët funksionojnë në bazë të sistemit proporcional, ndërsa republikanët në disa shtete i ndajnë delegatët në mënyrë proporcionale me votat e siguruara nga kandidatët, në disa të tjerë, kandidati që mori shumicën e votave merr të gjithë delegatët. Në kuvende hidhen në votë emrat e kandidatëve. Si për Partinë Demokrate, ashtu edhe për atë Republikane, delegatët që i përkasin një kandidati do të votojnë për atë kandidat në raundin e parë. Nëse asnjë delegat nuk merr 50 për qind të votave plus një delegat më shumë, zhvillohen raunde të tjera votimesh. Delegatët në këto raunde mund të votojnë për kandidatë të tjerë dhe jo medoemos për kandidatin të cilit i përkiste fillimisht vota e tyre. Por prej dekadash, asnjëra prej partive kryesore nuk ka pasur nevojë të zhvillojë një raund të dytë votimesh për zgjedhjen e kandidatit fitues.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›