Çavez paralajmëron SHBA-të për luftën ekonomike
Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin e Amerikës me naftën që del nga vendi i tij në qoftë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë atë që ai e quan luftë ekonomike. Gjatë javës së kaluar gjykatat britanike dhe amerikane kanë ngrirë fondet që i takojnë kompanisë shtetërore të naftës të Venezuelës pas një ankese të kompanisë amerikane të naftës “Exon Mobil”, e cila kërkon kompensim nga qeveria e Venezuelës, pasi ajo mori kontrollin e një projekti të madh të naftës në Venezuelë.
Robert Gates kërkon reduktimin e trupave në Irak
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha se favorizon idenë për të pezulluar pak reduktimin e trupave në Irak pas tërheqjes së 30 mijë ushtarëve deri në korrik. Ai i bëri këto komente pasi bisedoi me komandantët e ushtrisë amerikane në Bagdad. Gates është shprehur se përkundër rënies “dramatike” të dhunës në muajt e fundit, situata në Irak mbetet “e brishtë”. Ai u shpreh se irakianët kanë mundësi të zhvillojnë një “të ardhme më të sigurt”. Deri në korrik, niveli i trupave amerikane në Irak do të duhet të bjerë në rreth 130 mijë.
Ahmadinexhad: “Fuqitë botërore lojë ndaj Iranit”
Fuqitë botërore “luajnë me copa letre”, - tha presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, lidhur me presionin e Perëndimit rreth programit bërthamor të Iranit. Ai i bëri këto komente në një tubim me rastin e 29-vjetorit të Revolucionit Islamik. Fuqitë botërore përpiqen të bien dakord për rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit për sanksione ndaj Iranit, sepse Perëndimi druan se programi bërthamor iranian ka synime ushtarake. Ahmadinexhad gjithashtu tha se Irani do të lëshojë edhe dy raketa në hapësirë në muajt e ardhshëm.
Plagoset presidenti i Timorit Lindor
Presidenti i Timorit Lindor, Jose Ramos Horta, është plagosur gjatë një sulmi në shtëpinë e tij në periferi të kryeqytetit, Dili. Presidenti Horta është duke u kuruar në një spital australian në këtë qytet dhe thuhet se është në gjendje të mirë.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Timorit Lindor tha se sulmi ishte ndërmarrë nga forcat rebele të Alfredo Reinados, i cili është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit. Zëdhënësi i presidentit, Jose Turkuel, thotë se vendi i tij ndodhet në shok pas lajmit për plagosjen e presidentit.
12 Shkurt 2008