Shembja e pallatit, sërish në burg të arrestuarit
GJIROKASTËR - Gjykata e Faktit në Gjirokastër ka rrëzuar për herë të dytë brenda një muaji e gjysmë kërkesën e dy prej të arrestuarve për ngjarjen e datës 9 nëntor, kohë në të cilën u shemb një pallat 5-katësh në Gjirokastër. Duket se akti i ekspertizës së vendit të ngjarjes ka qenë shtysa në bazë të së cilës avokatët mbrojtës të inxhinierit gjeolog Thanas Llahana dhe inxhinierit Luan Bufi që të paraqisnin në gjykatë kërkesën për ndryshimin e masës së arrestit. Seancat gjyqësore për rishqyrtimin e kërkesave janë zhvilluar dje në mesditë. Avokatët mbrojtës Andi Duraj e Bernard Aliko, pas marrjes së informacionit për të dhënat e fundit të mbledhura në vendngjarje nga një grup ekspertësh, çka sipas tyre hedhin dritë mbi pafajësinë e dy të pandehurve, kanë kërkuar nga trupi gjykues zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “ndjekje në gjendje të lirë”. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga gjyqtari i çështjes Pëllumb Vehbiu, sipas të cilit, meqë nuk u paraqit akti i ekspertëve si rrethanë e re, kjo procedurë do të çmohet në momentin që do të prezantohet nga organi i akuzës përmes prokurorëve të çështjes Alfred Saliu dhe Arben Pasho. Megjithëse akti i përgatitur nga ekspertët ka përfunduar, ai ende nuk është dorëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe vetëm pas këtij veprimi mendohet se çështja do të rishqyrtohet.