E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deri në 2010 kufiri do të jetë i minuar

 

Zyrtarët e çminimit kanë shpjeguar se po hasin probleme në zonat e thella malore kur është e pamundur për të shkuar

Shqipëri-Kosovë

KUKËS- Kufiri Shqipëri-Kosovë do të jetë i lirë nga minat vetëm në vitin 2010. Ky ka qenë premtimi i zyrtarëve të AMAE-së (Aksionit të Veprimit Ndaj Minave) në Shqipëri në një mbledhje koordinuese që kjo organizatë ka zhvilluar në qytetin e Kukësit. Por të njëjtët zyrtarë kanë dhënë alarmin, pasi sipas tyre, në fushat e pastruara nga minat, nga persona të papërgjegjshëm po hidhen mjete të rrezikshme shpërthyese me qëllime të ndryshme.

***

Gjatë paradites së djeshme, drejtuesit e AMAE-së dhe partnerët për zbatimin e programit të çminimit kanë bërë bilancin e punës së tyre për vitin 2007 dhe për periudhën pesëmujore të këtij viti. Gjatë takimit u raportua se rreth 90 për qind e sipërfaqes së minuar në kufirin Shqipëri-Kosovë tashmë është e pastruar nga minat. Nga 15.25 milionë metër katrorë zonë e minuar nga ushtria serbe, mbeten ende të infektuara edhe 1.6 milionë metër katrorë në 43 fusha të minuara, të cilat do të pastrohen gjatë viteve 2008-2009. Sipas oficerit të operacioneve të çminimit, për këtë vit operacionet e çminimit do të vazhdojnë në bjeshkët e Sylbicës e Doberdolit dhe në Kamenicë e Padesh të Tropojës dhe Vlahën të Hasit, ndërsa zonat e tjera do të pastrohen përfundimisht nga minat në vitin 2009. Operacionet e çminimit në kufirin Shqipëri-Kosovë janë realizuar në bashkëpunim edhe me policinë shqiptare, SHPK-në dhe KFOR-in në Kosovë. Zyrtari i AMAE-së, Sali Saliu, ka garantuar se i gjithë procesi i çminimit monitorohet në bazë të standardeve ndërkombëtare, ku sipas tij, nuk është shënuar asnjë incident me zonat e pastruara. Por ai ka paraqitur shqetësimin se kohët e fundit në fushat që më parë janë pastruar nga minat si në Shqipëri e Kosovë janë konstatuar të jenë hedhur lëndë shpërthyese. “Konkretisht, në këto zona janë hedhur mina të paplasura duke krijuar premisa për ngjarje të jashtëzakonshme. Dikujt i intereson që kompanitë e çminimit të rikthehen përsëri në ato zona, në mënyrë që personat e larguar nga puna si pasojë e përfundimit të çminimit të punësohen serish pranë këtyre kompanive”,- pohoi Sali Saliu. Ai ka kërkuar ndihmën e policisë kriminale të Kukësit, por edhe të SHPK-së për identifikimin e këtyre personave.

***

Ndërkohë që koordinatori i AMAE-së në Shqipëri, Arben Braha, ka bërë të qartë se pas certifikimit të zonave të pastruara nga minat nuk kryhet asnjë investigim, apo operacion për minat e vëna në mënyrë të qëllimshme, por sipas tij, këto janë probleme që i përkasin policisë për zgjidhje. Sipas shifrave zyrtare gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, janë pastruar 130 mijë metër katror në katër fusha të minuara, ndërkohë që puna po vazhdon në pesë fusha të tjera ku deri tani është kryer rreth 50 për qind e saj. Periudha qershor-shtator, që është edhe periudha e verës, do të punohet për çminimet në bjeshkët e Vlahnës në Has dhe Qafën e Sylbicës. Por përfaqësuesi i kompanisë së çminimit ka paraqitur edhe vështirësitë që po hasin për arsye të terrenit të vështirë. “Ka shumë vështirësi në këto zona ku mungojnë rrugët. Jemi detyruar që të udhëtojmë përmes Kosovës për të shkuar në zonat e minuara në territorin e Shqipërisë. Kur edhe kjo është e pamundur si në rastin e bjeshkëve të Vlahnës, jemi të detyruar të udhëtojnë me gjithë pajimet e rënda për një orë a më shumë në këmbë për të arritur tek vendi i punës. Ndërkohë që në lartësitë e mëdha ku aktualisht po punojmë edhe kushtet klimatike nuk janë të qëndrueshme, madje ndryshojnë 2-3 herë brenda ditës”,- theksoi përfaqësuesi i firmës daneze, e cila po kryen procesin e çminimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›