Vrau në Angli 8 vite më parë, arrestohet në Shkodër
Taulant Çefa u arrestua pas analizave të ADN-së. Vëllai i tij vuan dënimin në spitalin psikiatrik për vrasjen e Ndojës
SHKODËR- Policia e Shkodrës ka ndaluar një 33-vjeçar, i cili akuzohet si autor i një vrasjeje të ndodhur në Angli në vitin 2000. Taulant Çefa, 33 vjeç, lindur e banues në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër, është vënë në pranga me akuzën e vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën akuzohet Taulant Çefa është e njohur në qytetin e Shkodrës dhe ka ndodhur më 25 tetor të vitit 2000 në një lagje të Londrës, në “Luke’s Path Ilford Essex”, ku është vrarë me thikë Florjan Ndoja po nga Shkodra.
Trupi i tij është gjetur i masakruar në banesën ku jetonte, tre javë më vonë, më 18 nëntor, ndërsa kanë qenë dy vëllezërit Pjerin e Tulant Çefa, shokë të afërt të viktimës si në Shkodër ashtu dhe në Angli, të cilët janë akuzuar nga policia angleze si autorë të krimit. Por pas ngjarjes ata janë larguar nga Anglia duke u rikthyer në Shqipëri me shpresën se do t’i shpëtonin arrestimit. Pas ndalimit që i ka bërë policia e Shkodrës, ka qenë Pjerin Çefa ai që ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes së Florian Ndojës. Bazuar në këtë dëshmi por edhe në provat e sjella nga prokuroria angleze, ai ka qendrur në burg deri në përfundim të gjykimit, ndërsa vëllai i tij, Taulanti, është lënë i lirë. Por strategjia e tij duket se ka funksionuar fillimisht pasi më 25 gusht të vitit 2002, çështja në ngarkim të Pjerin Çefës është pezulluar nga gjykata e Shkodrës. Kjo e fundit e ka cilësuar atë si të papërgjegjshëm në momentin e kryerjes së krimit të ndodhur në Angli. Vendimi i gjykatës është zbatuar dhe Pjerin Çefa është dërguar në një spital psikiatrik ku dhe vazhdon të ndodhet. Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi kanë vendosur rifillimin e hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Angli dhe për këtë analizat e ADN- së të dyshuarit tjetër si autor i kësaj ngjarjeje, Taulant Çefa janë dërguar në Angli për tu bërë krahasimi shkencor me gjurmët e shumta të gjetura nga policët anglezë në vendin e ngjarjes. Burime nga policia bëjnë të ditur sevetëm një javë më parë, është kthyer përgjigje nga autoritetet policore angleze, sipas të cilave dyshohet se Taulant Çefa është bashkëpunëtor në krimin e kryer tetë vite më parë. Prokuroria ka paraqitur këto prova në gjykatë dhe ka kërkuar nga togat e zeza caktimin e një mase sigurie në ngarkim të Taulant Çefës. Bazuar në këtë kërkesë, gjykata e Shkodrës, ka caktuar ndaj Taulant Çefës masën e sigurisë së arrestit në burg në mungesë. Kapja e tij është bërë rreth mesnatës të së shtunës në banesën e tij. Tashmë ai duhet të përballet me provat shkencore të mbërritura nga Anglia, të cilat tregojnë përfshirjen e tij në vrasje.