Sejdiu: Kushtetuta, momenti i dytë historik
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës në Kosovë, presidenti Fatmir Sejdiu nënshkroi sot për herë të parë disa ligje, në prani të të dërguarit special të Bashkimit Evropian Peter Feith. Ai u shpreh entuziast dhe deklaroi se kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
"Hyrja në fuqi e Kushtetutës shënon kompletimin e rrethit të ndërtimit të shtetit. Kushtetuta është kompasi që do të paraqes orientimin kryesor në rrugën tonë dhe do ta ndihmojë integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO"- tha Sejdiu.
Sipas tij, miratimi i Kushtetutës paraqet momentin e dytë historik për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë dh epër këtë do të mbahet mend gjatë.
Ndërkaq, në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, libri u bë dhurata e parë dhe u premtua se do t’u dhurohet miqve gjatë vizitave në Prishtinë. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, Librin e Kushtetutës të botuar në tri gjuhë ia dhuroi presidentit të shtetit të kosovës, Fatmir Sejdiu. “Presidentit të Kosovës i dhurova një Libër të Kushtetutës, e cila do të jetë dhuratë për miqtë e mysafirët që do të vijnë në Kosovë, në Kuvendin e Kosovës. Kjo është dhurata e parë”, tha Krasniqi para pak minutash.
Presidenti Sejdiu sot ka dekretuar 41 ligje të Paketës Ahtisaari, të cilat i solli në Presidencë kryeparlamentari Krasniqi.