Shpërthen uzina e përuruar nga Berisha
Vetëm 9 ditë më parë, kryeministri dhe një pjesë e qeverisë u krenuan me uzinën. Dje shpërtheu llava që dogji punëtorët
ELBASAN- Shpërthimi i një prej kovave që transporton skorjet në Uzinën e Ferro-kromit në Elbasan ka plagosur rëndë tre punëtorë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm kur sapo kishte nisur punën turni i parë. Punëtorët po mbikëqyrnin procesin kur kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm të shoqëruar edhe nga shpërndarja e llavës së nxehtë. Furra e re e Ferro-kromit ku ndodhi edhe shpërthimi i djeshëm është përuruar vetëm nëntë ditë më parë nga kryeministri Berisha. Ai ka qenë i shoqëruar edhe nga një sërë ministrash dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, kur ka vlerësuar investimin e kryer në këtë furrë ndërsa dje, në të njëjtën uzinë, ka ndodhur tragjedia.
***
Tre punëtorët që ndiqnin procesin nuk kanë mundur t’i shpëtojnë llavës së nxehtë dhe për pasojë kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Menjëherë tre të dëmtuarit, Mehmet Serica, 54 vjeç, Aqif Pepa 44 vjeç, vinçier dhe Luan Jaupi 38 vjeç, janë transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku edhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërkohë, një grup ekspertësh kanë mbërritur pranë Uzinës së Ferro-kromit në vendin ku edhe ka ndodhur shpërthimi. Ende nuk kanë përfunduar hetimet për të përcaktuar shkakun që ka sjellë edhe shpërthimin e fuqishëm por sipas punëtorëve, shkaku mund të ketë qenë lagështira.
***
Luan Jaupi, një prej punëtorëve i dëmtuar më rëndë, thotë se shpërthimi ka ardhur nga kupola ku edhe mendohet të ketë bërë reaksion kova e cila mund të ketë pasur ujë për shkak të reshjeve të shiut. “Ne ishim duke ndjekur procesin e transportit të skorjeve dhe kova kishte gati dy orë që ishte nisur drejt kupolës. Ndoshta procesi i kontaktit të ujit me temperaturat maksimale në fund të kovës bëri që të regjistrohej edhe shpërthimi i fuqishëm. Dëgjuam një shpërthim si një bombë. Falë zotit, copat e llavës nuk ishin të mëdha dhe pësuam disa djegie në trup”,- thotë punëtori i plagosur nga shpërthimi i djeshëm. Ndërkohë, kolegu i tij, Mehmet Serica, thotë se shpërthimi nuk ka ardhur nga mungesa e sigurimit teknik apo edhe pakujdesia por nga reaksion i shkaktuar nga lagështira. “Kishte gati dy orë që kova ishte në proces dhe siç duket ra në kontakt uji me nxehtësinë duke sjellë shpërthimin. Nuk di të them si ndodhi, ndonjë gropë e vogël, ose ujë që nuk u vu re nga ana jonë. Nga avullimi, uji ka hapur zemrat e kovës dhe ka shpërthyer. Ne punojmë larg furrës dhe nuk ka asnjë rrezik nga ajo. Kjo punë është e rrezikshme dhe gjëra të tilla ndodhin. Nuk pritej ky shpërthim. Askush nuk e mendonte se do te ndodhte ky shpërthim”,- thotë Serica nga shtrati i spitalit.
***
Mjekët e spitalit thonë se gjendja e tre të dëmtuarve është jashtë rreziku për jetën. Ata kanë pësuar djegie të gradës së parë dhe të dytë. Në gjendje më të rëndë është 38- vjeçari Jaupi, i cili ka marrë më shumë djegie dhe ndodhet në një prej sallave të reanimacionit të spitalit. Mjeku Behar Gjevori thotë se menjëherë personeli mjekësor i ka ardhur në ndihmë tre të dëmtuarve. Një pre të dëmtuarve që është edhe më rëndë ka pësuar djegie në pjesën e kurrizit dhe në krahë. Punëtorët e ferro-kromit kanë pësuar djegie të gradës së parë dhe të dytë. Uzina e Ferro-kromit në Elbasan ka rifilluar aktivitetin e saj prej pak muajsh. Një firmë e huaj ka marrë me koncesion Uzinën dhe ka bërë edhe investimet e para duke përuruar furrnaltën. Kjo kompani ka deklaruar investime thelbësore si dhe një prodhim cilësor të kromit për eksport. Aktualisht në këtë uzinë punojnë 130 punëtorë të cilët janë rimarrë në punë pas një periudhe të gjatë asistence.
Uzina u çertifikua nga qeveria më 7 qershor
ELBASAN- Më datë shtatë qershor kryeministri Berisha ka udhëtuar në qytetin e Elbasanit i ndjekur edhe nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministrat Lulzim Basha e Sokol Olldashi si dhe deputetë të zonës. Fillimisht kryeministri ka përuruar një segment rrugor në komunën Bradashesh. Më pas kryeministri ka prerë një sërë shiritash inaugurimi ku është krenuar me investimet e bëra. Në fund të vizitës së tij ai është ndalur në Uzinën e Ferro-kromit ku edhe ka përuruar fillimin e aktivitetit në furrën e re. “Inaugurova një furrnaltë dhe jam në përkrahje të plotë të biznesit por gabojnë rëndë ata që mund të mendojnë se do të ndotin ajrin. Ne i kemi shërbyer biznesit me anë të uljes së taksave dhe nuk do të ketë tolerancë tjetër. Kushti i panegociueshëm është mos ndotja e ajrit. Unë jam një mik i madh i ruajtjes së mjedisit”,- ka pohuar kryeministri Sali Berisha ditën që ka prerë shiritin e inaugurimit. Por vetëm nëntë ditë më pas uzina e “re” ka shpërthyer duke djegur me llavë tre punëtorë e rrezikuar disa të tjerë.