Ministria e Brendshme: Rivotimi, pa probleme
Pa probleme dhe shenja të përdorimit të dhunës. Me këtë deklaratë, Ministria e Brendshme ka njoftuar se procesi i rivotimit deri pas mesditës ka kaluar mirë.
Sipas saj, nuk është regjistruar ndonjë incident serioz në zonat ku rivotohet. Deri tani gjithashtu siç bëhet e ditur nuk është lajmëruar për përdorim të armëve të zjarrit apo dhunë në vendvotime.
Deri në ora 15.00 mësohet se janë arrestuar dhjetë persona, të cilët kanë dëmtuar dhe shkelur procesin zgjedhor.
Sipas zëdhënësit të MPB-së, shumica e të arrestuarve dyshohen për keqpërdorime dhe pjesëmarrje në incidente në zgjedhjet e 1 qershorit.
Në fshatin Sedllarevë janë arrestuar tre persona, të cilët ngarkohen për mbushje të kutive.
Në komunën e Likovës policia ka arrestuar katër persona, të cilët dyshohen për prishje të rendit dhe se janë të njohur për organet policore.
MPB-ja bëri të ditur se në Kondovë është sulmuar një person, pasi kishte votuar. Ai është sulmuar larg vendit të votimit. Incident tjetër është regjistruar në fshatin Rakovec të Tetovës, kur një person ka shtënë me armë në drejtim të një makine të një votuesi.
16:50-Në të gjitha komunat dhe vendbanimet shqiptare, sipas agjencisë INA procesi zgjedhor po zhvillohet e nje atmosfere te qete dhe sipas standarteve demokratike, njofton agjencia e lajmeve INA.
Përdallim nga zgjedhjet e 1 qershorit kësaj here policia nuk regjistroi ndonjë incident më serioz i cili do të ndikonte në prishjen e procesit zgjedhor.
KSHZ gjithashtu njoftoi se zgjedhjet po kalojnë në një atmosfer të qetë dhe pa incidente.
“Vlerësimi im personal është se deri më tani nga ajo që pamë është se gjithçka është në mënyrë të qetë dhe të rregullt dhe me të vërtetë mund të konstatojmë se zgjedhjet po kalojnë në atmosferët të tillë. Shpresoj se edhe deri në mbyllje të vendvotimeve do të vazhdoj kjo atmosferë”, deklaroi njëri nga anëtarët e KSHZ-së.
Megjithëatë, në ditën e sotme janë shënuar disa parregullsi të vogla të cilat sipas vëzhguesve ndërkombëtarë dhe KSHZ-së nuk do të ndikojnë në anulimin e procesit zgjedhorë.
15:20- Në Osllomejë janë regjistruar votimet e organizuara të personave të njejtë nga një vendvotim në vendvotim tjetër.
Kjo është theksuar nga vëzhguesit e Asociacionit MOST, të cilët kanë vërejtur se si në mënyrë të organizuar janë transportuar votuesit, kryesisht gra të mbuluara që votonin nga një vendvotim në vendvotim tjetër.
Asociacioni MOST gjithashtu njoftoi se vëzhguesit e saj janë larguar nga tre vendvotime në Zhelinë të Tetovës.
Aktivistët e kësaj shoqate gjithashtu njoftuan për votim një person për një familje në komunën e Osllomejit dhe në Likovë. Ndërsa parregullësi janë vërejtur në Bogovinë. Sipas MOST për qindja e votuesve deri në orën 13 në njësinë një ka qenë 37 për qind, në njësinë e dytë 25 për qind dhe njësinë e gjashtë 30 për qind.
14:50- Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se deri në orën 13 në rivotime kanë marrë pjesë mbi 30 për qind e trupit votues nga 187 qendrat e votimit.
Sipas KSHZ-së në njësinë e parë zgjedhore kanë votuar 35 për qind e votuesve, në njësinë e dytë27, 82 për qind dhe në njësinë e gjashtë rreth 29 për qind.
Në bazë të komunave, në dy vendvotimet në Kumanovë kanë votuar 28 për qind e votuesve. Në komunën e Likovës deri në orën 13 kanë votuar 15 për qind. Fluksi i votuesve në komunën e Zajazit deri në orën 13 ka qenë 12 për qind, në Osllomej 14 për qind.
14:00-Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se policia ka arrestuar gjashtë persona të cilët kanë shkaktuar parregullësi në procesin e votimit.
“Pjesëtarët e policisë duke ndjekur procesin e votimit kanë ndaluar dy persona në fshatin Çegran të Gostivarit dhe dy persona të tjerë në Sedllarevë të Tetovës, ndërsa dy persona nga fshati Llojan i komunës së Likovës janë marrë në bisedë informative”, theksoi për INA, zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Ivo Kotevski.
Sipas tij, personi i ndaluar në Çegran ka qenë i kërkuar për shkak të përfshirjes në incidentet e 1 qershorit, dy personat në Sedllarevë tentuan në mënyrë të parregullt të votonin për familjarët e tyre, ndërsa në Llojan u ndaluan dy persona dhe janë marrë në bisedë informative për shkak të pranisë së tyre në afërsi të qendrave të votimit. Zëdhënësi i MPB-së gjithshtu informoi për një incident në Kondovë të Sarajit, por që sipas tij ka ndodhur larg qendrave të votimit dhe nuk dihen motivet.
12:20-Procesi i votimit në zonat zgjedhore po zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe të lirë zgjedhore, ndërsa në të gjitha qendrat e votimit janë të pranishëm vëzhgues ndërkombëtar.
Siç bëjnë të ditur reporterët e agjencisë së lajmeve INA në terren, në afërsi të qendrave të votimit vërehen forcat të uniformuara policore, ndërsa pjestarë të njësiteve speciale janë të pranishme në disa akse rrugore dhe në dalje të vendbanimeve ku janë duke u përsëritur zgjedhjet. Gjithashtu po vihet re edhe prania e vëzhguesve të huaj të cilët po qëndrojnë në qendrat e votimit për të ndjekur procesin e votimit. Ambasadorja amerikane, Gillian Milovanovic po qëndron për të ndjekur procesin e rivotimit në rajonin e Tetovës. Edhe ambasadori evropian Ervan Fuere ka vizituar sot disa qendra të votimit në rajonin e Tetovës.
Ambasadori britanik Endrju Ki po qëndron në komunën e Sarajit për të ndjekur procesin e votimit, ndërsa në Kondovë ambasadori francez, Bernard Valero.
“Unë me të vërtetë shpresoj se sot do të jetë një ditë e qetë dhe se Maqedonia mund të dëshmojë se mund të realizojë zgjedhje korrekte dhe të mos përsëriten problemet e 1 qershorit”, deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe Endrju Ki.
Në të gjitha komunat dhe vendbanimet shqiptare ku po përsëriten votimet deri tani nuk janë deklaruar parregullësi nga ana e shtabeve të partive politike, përveç vjedhjes së materialit zgjedhor për tre qendra votimi në Reçicë të Tetovës.
11:45-Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se deri në ora 10 në rivotime kanë dalur rreth 12,40 për qind e trupit votues nga 187 qendrat e votimit.
Nënkryetari i KSHZ-së, Subi Jakupi deklaroi se kanë votuar 17.867 votues dhe se të dhënat janë siguruar nga 165 qendra të votimit. Sipas tij, në njësinë e parë zgjedhore kanë votuar 17,40 për qind e votuesve, në njësinë e dytë zgjedhore 10,61 për qind dhe në njësinë e gjashtë 11, 54 për qind.
KSHZ njoftoi se në tre vendvotime në Reçicë të Vogël është vjedhur materiali zgjedhor dhe brenda një afati do të vendoset për procesin e votimit në këtë vend. “Janë ndërmarrë të gjitha masat që të mos keqpërdoren materialet e vjedhura zgjedhore”, theksoi Jakupi. KSHZ ka vizituar disa zona zgjedhore brenda këtyre orëve. Komisioni gjithashtu njoftoi se për informacionet e radhës dhe procesin e rivotimit do të jap të dhëna në konferencat e caktuara me mediat në ora 14.00 dhe 18.00.