E Diel, 1 Nëntor 2026

Deri në fund të 2010-s, Shqipëria me forcë ushtarake të reformuar dhe profesioniste

Deklaron ministri i Mbrojtjes Arben Imami

Për t’u përshtatur sa më mirë me strukturat në NATO do të nis reformimi në Forcat e Armatosura. Kështu është shprehur Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, dje në konferencën e dytë për integrimin e FA në Strukturat e NATO-s. Shqipëria, një vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), prej muajit prill të këtij viti, po përgatitet të hartojë një plan konkret që do të çojë në integrimin e plotë të ushtrisë shqiptare drejt strukturave të kësaj aleance. Në kuadër të hartimit të këtij plani, në mjediset e Komandës së Bashkuar në Tiranë u organizua dje Konferenca e Dytë për Integrimin e Forcave të Armatosura në strukturat e NATO-s, nga Komanda e NATO-s për Transformim (ACT).
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i pranishëm në këtë konferencë, tha se “synimi  kryesor i reformës së FA është shndërrimi i ushtrisë sonë deri në fund të 2010 në një forcë profesioniste si dhe konsolidimi i saj deri në vitin 2015”.
Sipas tij, “kjo nuk përfshin vetëm përshtatjen e fuqisë njerëzore e të strukturave të organizimit, por një ndryshim të rëndësishëm në konceptet operacionale, në sistemet e stërvitjes dhe çka është më e rëndësishme në konceptet e menaxhimit të mbrojtjes”.
Gjatë konferencës së parë, vijoi ministri Imami, ne përcaktuam rrugën ku do të ecnim përpara për vitet e ardhshme dhe premtuam se do të krijojmë një forcë të armatosur plotësisht të ndër veprueshme dhe të aftë për t’u integruar në strukturat dhe procedurat e  NATO-s. Për ministrin e Mbrojtjes, një forcë profesioniste nuk mund të përparojë pa një strukturë të përshtatshme mbështetëse.
“Në përshtatje me këto ne kemi analizuar me kujdes dhe kemi nisur procesin e rishikimit dhe të modifikimit të strukturës së forcave tona të armatosura”, tha ai.
Imami, theksoi se objektivi është rritja e frytshmërisë së komandimit dhe drejtimit, mënjanimi i shtabeve dhe njësive të tepërta si dhe përshtatja e strukturave të disa njësive për t’i bërë ato më efektive. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha gjithashtu se “një rëndësi të jashtëzakonshme kanë përpjekjet për të rishikuar dhe për të përmirësuar procedurat e zbatimit dhe planifikimit të burimeve tona”.
Punimet e Konferencës së Dytë për Integrimin do të zgjasin dy ditë (28-29 shtator). Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues nga Shtabi Ndërkombëtar i NATO-s (IS), përfaqësues nga Komandat strategjike të NATO-s (ACT dhe ACO), përfaqësues pranë Komandave të NATO-s, si dhe Komandave kryesore të Forcave të Armatosura Shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›