Policia ka një të dyshuar për grabitjen e kambistit
Tiranë - Policia e kryeqytetit dyshon se i njëjti grup që grabiti kambistin në Elbasan është dhe autor i grabitjes së kambistit në Tiranë më 2 tetor. Policia nga verifikimet e kryera deklaroi se kambistit i ishin grabitur 65 mijë euro. Sipas tyre, grabitja e kambistit Fari Fanxha në rrugën “Gjergj Fishta” mëngjesin e 2 tetorit, pas pallateve shumëkatëshe që ndodhen midis Gjykatës së Faktit Tiranë dhe ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, është kryer nga i njëjti grup që grabitën në Elbasan kambistin Arben Kovaçi. Në fakt, tri ditë më parë skuadra e vjedhjeve me dhunë shoqëroi një të dyshuar, i cili ishte lidhje e ngushtë e të arrestuarve për grabitjen e kambistit elbasanas. I shoqëruari është lënë i lirë për mungesë provash, por kjo nuk i ka bindur hetuesit e Tiranës të ndërpresin hetimet në këtë pistë. Rreth orës 07:00 të mëngjesit të 2 tetorit shkonte në punë në një pikë të këmbimit valutor që ndodhet te Pallatet Shallvare në Tiranë. Fanxha është sulmuar nga dy persona të armatosur teksa dilte me makinën e tij nga parkingu i pallatit për të shkuar në punë. Autorët kanë qëlluar një herë në drejtim të makinës për ta trembur Fanxhën dhe një herë në ajër, duke u larguar me gjithë çantën me valutë. Fanxha denoncoi se në çantë kishte pasur 100 mijë euro, kurse policia, nga verifikimet e kryera, deklaroi se ishin grabitur 65 mijë euro.
Mungojnë avokatët, dështon seanca për bandën e Lushnjës
TIRANË - Mungesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurve të bandës së Lushnjës është bërë shkak të premten për dështimin e seancës së radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Gjykata caktoi dje ditën për zhvillimin e procesit ndaj ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare. Të pandehur në këtë proces janë 7 persona, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, ndër të cilat edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Lushnjë. Gjithashtu ndaj tyre rëndon akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Po ashtu, në proces është edhe vetë i akuzuari si drejtues i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, i cili procedohet në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Aldo Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij.
Ndalohet një efektiv i Policisë së Kufirit, akuzohet për vjedhje
VLORË - Policia e Vlorës arrestoi dje pasdite një efektiv të Drejtorisë së Policisë së Kufirit të këtij qarku, i cili ishte denoncuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për vjedhje. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Rezarta Leli, i tha për gazetën “Albania” se 43-vjeçari Pajtim Shpata u prangos rreth orës 15:00 në banesën e tij, në një nga lagjet e qytetit. Sipas Lelit, ndalimi u bë pas një vendimi të Gjykatës së Rrethit, i cili u dha sot paradite dhe caktonte masën e sigurisë “arrest në burg” për Shpatën. Ai akuzohet për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës. Policia nuk dha detaje të tjera për akuzën në ngarkim të 43-vjeçarit.
18 Tetor 2008