E Diel, 1 Nëntor 2026

Dermatologët japin alarmin: Uji i pishinave, i ndotur

Mjekët specialistë pohojnë se edhe kjo verë është shoqëruar me qindra raste që e kanë infeksionin pikërisht nga uji i detit dhe i pishinave. Infeksionet e lëkurës, të syve dhe të veshëve janë ato që hasen më shpesh. 

TIRANE- Stina e verës, së bashku me pishinat dhe plazhin sjell me vete edhe mjaft infeksione. Mikrobet janë kudo. Në ujin e klorinuar të pishinave dhe në kripën e detit, në rërën e nxehtë madje edhe në shezlongje, ku ulen me qindra pushues. Mjekët specialistë pohojnë se edhe kjo verë është shoqëruar me qindra raste që e kanë infeksionin pikërisht nga uji i detit dhe i pishinave. Radhët e pacientëve përpara dyerve të Poliklinikës së Specialiteteve në kryeqytet konfirmojnë 'rrezikun' që vjen nga plazhi. Infeksionet e lëkurës, të syve dhe të veshëve janë ato që hasen më shpesh. Mjeku specialist, Bujar Pernaska sqaron se gjatë stinës së verës tri janë tipet e sëmundjeve të lëkurës që hasen më shpesh. "Infeksionet mykotike, qelbëzuese dhe ato alergjike, që janë tipet e infeksioneve më të shpeshta të lëkurës, të cilat hasen gjatë stinës së verës", - shpjegon dermatologu Pernaska. Sipas tij, shkak për këto infeksione janë papastërtitë e ujit të detit, por edhe klori që hidhet në ujin e pishinave. Dermatologu Pernaska shpjegon se sëmundjet qelbëzuese (infeksione të lëkurës) hasen më shpesh tek të vegjlit, të cilët mbushen në fytyrë me puçrra të vogla me ujë që më pas qelbëzohen. Shkak për këtë lloj infeksioni bëhen shpesh mizat dhe mushkonjat që na pickojnë, duke na bërë kështu edhe bartës të një infeksioni të caktuar. Ndërsa infeksionet mykotike kanë si shkak mungesën e ajrimit. Ato zakonisht shfaqen tek personat që djersijnë, ose tek ata që mbajnë këpucë dhe çorape najloni veshur. Në të gjitha rastet mjekët këshillojnë higjienën e pastër si armën kryesore ndaj infeksioneve të lëkurës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›