Polici i Lazaratit
Natën e 2 qershorit 2008, një helikopter i prodhimit gjerman “F105”, i cili ishte duke vëzhguar zonën e Lazaratit për toka të mbjella me hashash u godit nga lagjja “Kardhocë” me mitraloz. Sipas burimeve të policisë, helikopteri ishte duke vëzhguar zonën me drita LED, të përshtatshme për natën, dhe helikopteri mendohet të jetë qëlluar me mitraloz kundërajror. Helikopteri, i cili kishte 3 persona në bord, mori dy plumba, ashtu si katër vite më parë kur ishte kryeministër Fatos Nano. Bashkëpunëtorja e “Spiunit” pyeti pasditen e 3 qershorit njërin prej zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, se çfarë po ndodh në Lazarat, si është prodhimi i hashashit këtë vit dhe kur do të ndërhyjë policia për ta korrur.
Zyrtari i lartë i policisë, tha fillimisht se avioni kishte qenë turistik dhe kishte fluturuar shumë kohë para se të qëllohej nga fshati blu. Pastaj tha se krismat nuk kishin të bënin me helikopterin, se gjendja në Lazarat është nën kontrollin e policisë dhe në fund fare u zbraz: “Edhe ju të gazetave sa të madhe e bëni! Po kanabis sativa mblidhet edhe në mes të Gjermanisë!!!”.
“Spiunit” iu kujtua kjo histori e dy javëve më parë, kur dëgjoi dje Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, se: “Nëse vërtetohet se në Lazarat ka kanabis, policia do të hyjë pa diskutim brenda në fshat” dhe se “asnjë tolerim nuk do të ketë për kultivuesit e kanabis sativas”.
Hera e fundit që policia ka qenë në Lazarat nuk dihet, por edhe vjet, në shtator, kur u vra një shtetas në fshat, policët ishin të maskuar dhe me makina civile, ndërsa kur lazaratasit dogjën Komisariatin e Gjirokastrës në shenjë hakmarrjeje, policia u mbyll në godinë dhe nuk bëzajti.