E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishaj: Akuza Ramës për transparencë

• Ndërsa ditën e premte medias iu mbyllën dyert dhe nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak, dje nga zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës nuk pati sërish asnjë njoftim për takimin e radhës.ZIRINA LLAMBROKëtë problem e ngriti edhe kryetari i këshillit bashkiak, Sokol Dervishaj, pas reagimeve të një pjese të mirë të anëtarëve të kësaj strukture. “Dua të ngre një shqetësim, i cili besoj është edhe i  anëtarëve të këtij këshilli. Ditën e premte mediat janë lënë pas dere dhe nuk janë lejuar të hyjnë në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak. Kjo është e patolerueshme, pasi nuk ka asnjë motiv të ndodhë. Ne jemi një strukturë e hapur, të shpresojmë që incidente të tilla të mos përsëriten më”, u shpreh Dervishaj. Nga ana tjetër ai përmendi edhe mënyrën sesi është pasqyruar vendosja e emrit “17 Shkurti” të një rruge në kryeqytet, për nder të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Është krejtësisht e pasaktë të thuhet se propozimin për vendosjen e kësaj emërtese të një rruge në kryeqytet e ka bërë kryebashkiaku Rama, apo e ka marrë këtë vendim bashkia. Ka qenë propozim i këshillit bashkiak dhe është miratuar prej tij vendosja e emrit për nder të pavarësisë së Kosovës. Prandaj është mirë që të mos i etiketohen kryebashkiakut propozime e vendime që nuk janë kompetencë e tij”, tha Dervishaj. Sipas tij, edhe fakti që mbledhja e ditës së premte është paraqitur si një prezantim i thjeshtë i buxhetit, ndërkohë që u karakterizua nga debate mes anëtarëve të këshillit, ka pasaktësi. “Kamera e bashkisë ka qenë këtu ditën e premte, regjistroi mbledhjen dhe ndërkohë në media u pasqyrua vetëm pjesa që i takon kryetarit të bashkisë, nuk u dha asnjë nga anëtarët me argumentet e tij. Gjykoj se në funksion të transparencës të këtij këshilli, këto fakte nuk duhet të anashkalohen”, tha Dervishaj. Në fakt, ditën e premte një pjesë e mirë e mediave nuk patën mundësi të transmetonin debatet në këshill, për arsye se nuk ishin prezent në mbledhje si zakonisht. Kjo, pasojë e mungesës së një njoftimi nga bashkia, e cila e ka bërë rëndom në mbledhjet paraardhëse. Në këtë mënyrë jo për faj të tyre, mediat u mjaftuan vetëm duke pasqyruar “zërin” e bashkisë, duke iu referuar njoftimit për shtyp prej këtij dikasteri. Burime të sigurta sqarojnë se direktivat për të mos njoftuar gazetarët e televizioneve dhe gazetave, për të qenë të  pranishëm e më pas për të mos i lejuar të hyjnë në sallën e mbledhjes, janë dhënë nga “lart”. Çka do të thotë se incidenti  nuk është harresë apo neglizhencë e zyrës së shtypit. E gjithë kjo situatë ndodh në kohën kur kryebashkiaku Rama trumbeton transparencën dhe fjalën e lirë çdo ditë. Nuk dihen arsyet se përse kësaj here gazetarët kanë qenë të panevojshëm, ndërkohë që për mbledhjet e shkuara kanë pritur për orë të tëra deri në marrjen e vendimeve të këshillit, edhe në rastet kur ato kanë qenë të stërzgjatura e të ngarkuara me debate “pa bukë”.Dyert e mbyllura të KRRT së TiranësPas një pushimi të gjatë prej dy vitesh rinisën mbledhjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Por është e disata mbledhje që mediat nuk lejohen të marrin pjesë, a thua se KRRT miraton sekrete shtetërore dhe jo leje ndërtimi. Jo vetëm që askush nuk lajmëron për këto takime, por gazetarëve u duhet të përdorin gjithë njohjet e mundshme për të marrë listën e vendimeve të marra. Kjo, pasi ato nuk u vihen në dispozicion edhe kur i kërkojnë aty ku duhet. Tingëllon absurd i gjithë ky hermetizëm, në një kohë që gjithkush ka të drejtë të dijë se sa pallate të reja do të ndërtohen, sa shtesa do të legalizohen në qytetin ku jeton. Gazetarët ftohen të marrin pjesë në mbledhjen KRRTRSH-së ku merren vendimet për gjithë vendin, ndërsa në KRRT-në e Tiranës disa persona i lejojnë t’i mohojnë publikut të drejtën për t’u informuar. Paloka: Edi Rama i ktheu rrugët si brekë të grismeDeputeti i PD-së, Edi Paloka reagoi pasditen e djeshme në Kuvend, ndaj kërkesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për aplikimin e një takse të re që lidhet me pastrimin e kryeqytetit.     Gjatë minutave të diskutimeve jashtë rendit të ditës, deputeti Paloka tha se “kryetari i Bashkisë Edi Rama, ka kërkuar dyfishim të disa taksave në kryeqytet dhe shtim të një takse të re që lidhet me pastrimin, ndaj atyre që ngasin automjete”. “Pritet të mblidhet Këshilli Bashkiak për të diskutuar lidhur me këto taksa dhe krahas tyre edhe për një taksë të tretë. Të gjithë ata qytetarë tiranas, që në fakt paguajnë njëherë për pastrim dhe gjelbërim, duhet sërish t’i paguajnë bashkisë një taksë shtesë, për të njëjtin qëllim”, u shpreh Paloka, duke kërkuar mbështetjen e gjithë deputetët të djathtë e të majtë të Tiranës. Ai theksoi se “nuk është kundër rritjes së shpenzimeve në Tiranë si për pastrimin dhe për gjelbërimin, por më parë Rama duhet t’u tregojë banorëve se çfarë është bërë me paratë e paguara deri më sot, pasi kryeqyteti sot është një nga më të papastrit në Evropë”.     “Nëse do të vazhdojë të mburret se ka mbjellë me bar skarpatet e lumit Lanë, atëherë ky kryetar bashkie nuk ka më asnjë lloj morali që t’u kërkojë taksa të tjera qytetarëve të Tiranës, por t’u kthejë edhe ato që iu ka marrë deri më sot. Nuk jam kundër shëtitjeve dhe fjalimeve baritore të kryetarit të Bashkisë, por jo që të vijë në Tiranë për t’iu vendosur taksa qytetarëve. Ai jo vetëm nuk riparon gjë, por i ka bërë qytetarët të vijnë vërdallë mes pluhurit, i ka kthyer rrugët e Tiranës si brekë të grisura”, reagoi deputeti Paloka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›