E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimi i fushatave, Topi:Partitë, larg nga biznesi

• Partitë politike duhet të shkëpusin lidhjet e tyre me biznesin gjatë fushatave elektorale.ADI SHKEMBIPresidenti Bamir Topi theksoi dje gjatë një takimi të organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, se duhet krijuar kuadri i nevojshëm që të bëjë të mundur pikërisht ndarjen mes partive dhe biznesit, sidomos gjatë fushatave elektorale. “Eshtë shumë e nevojshme të kryhen përmirësime të tjera në legjislacion, siç janë një përputhje e legjislacionit aktual dhe akteve ndërkombëtare mbi korrupsionin, si dhe shumë i rëndësishëm paraqitet edhe rregullimi i financimit të partive politike dhe organizative, ku është e nevojshme të parashikohen mekanizma ligjorë që do të eliminonin varësinë financiare mes biznesit dhe politikës gjatë fushatave zgjedhore”, theksoi Topi gjatë fjalës së tij. Sipas kreut të shtetit, “kjo është një temë shumë e ndjeshme dhe që duhet të shkojë në sinkron me gjithë shqetësimin që kanë jo vetëm partitë politike, të përfshira në debatin për reformën elektorale, por si një çështje që atakon drejtpërdrejt ndjeshmërinë qytetare”. “Është e kotë të bëjmë komente, pasi në mjaft raste ndihet dhe është pjesë e debatit publik, pikërisht teprimi me financimin e fushatave elektorale, qofshin në zgjedhjet e përgjithshme, ato për pushtetin vendor apo edhe zgjedhje të pjesshme për një komunë të caktuar”, theksoi më tej Presidenti Topi. Sipas kreut të shtetit, njerëzit që kanë reputacion publik nuk kanë nevojë për financime. “Natyrisht, fushatat elektorale kanë nevojë për financa që janë ligjore dhe transparente. Në këtë sens mendoj që Inspektorati, në harmonizim me punën e mjaft institucioneve, duke filluar nga partitë parlamentare, si pjesë e debatit dhe e iniciativës ligjvënëse, duhet të kenë parasysh jo vetëm një rregullim ligjor, por dhe ngritjen e një infrastrukture që do të bëjë të mundur mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve”, theksoi më tej kreu i shtetit. Duke u ndalur te fenomeni i korrupsionit dhe bashkëpunimi mes institucioneve për të luftuar këtë fenomen, Topi tha se, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive duhet të jetë i hapur në raport me organet e tjera të shtetit, pa kaluar, sipas tij, kompetencat ligjore të secilit organ. Në të njëjtën kohë, sipas kreut të shtetit, duhet të ofrojnë më shumë bashkëpunim për ato që kërkon Inspektorati. Më tej, presidenti u shpreh se, pavarësisht punës së mirë të bërë nga Inspektorati, rezultatet tregojnë se ajo është e pamjaftueshme. “Është fakt që, pavarësisht punës së mirë që Inspektorati ka bërë deri më sot, për sa i përket kryesisht parandalimit të fenomeneve korruptive, pasi të kontrolluarit e dinë që ky Inspektorat ekziston dhe funksionon, efektiviteti dhe rezultatet e deritanishme tregojnë se puna e bërë ka qenë e pamjaftueshme dhe se fenomenet e korrupsionit, për pasojë, kanë mbetur kryesisht në nivel të përgjithshëm dhe me pak individë të evidentuar si të tillë”, theksoi Presidenti Topi.“Reforma zgjedhore, ekskluzivitet i partive”Sipas kreut të shtetit, “sistemi elektoral që do të zgjidhet është një e drejtë ekskluzive e partive politike parlamentare, është një e drejtë ekskluzive e Parlamentit shqiptar. Pra, pavarësisht nga sistemi, duhet të garantohet e drejta e marrjes pjesë në mënyrë të barabartë në debate, në fushata”.Dervishi: S’kemi raste të mosdeklarimit të pasurisëDrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, tha dje gjatë tryezës së organizuar nga ILDKP-ja, se doganat nuk kanë pasur raste të mosdeklarimit të pasurive. “Të përballesh me korrupsionin nuk është një betejë e vetme, por një strategji e qartë. Në dogana nuk kemi raste të mosdeklarimit të pasurisë, por ka vetëm raste të deklarimit me pasaktësi”, tha Dervishi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›