E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjyqësori shqiptar, thellësisht i korruptuar”

• VLORE – Ministri i Drejtësisë kërkoi dje që gjyqtarët e ndershëm të denoncojnë dhe të nxjerrin zbuluar kolegët e tyre të korruptuar.Kreu i dikasterit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, bëri thirrje për fillimin e një procesi vetëpastrimi të gjyqësorit, i cili sipas ministrit, është i infektuar në një shkallë të gjerë nga fenomeni i korrupsionit. “Një gjë është e saktë, gjyqësori shqiptar vuan thellësisht nga korrupsioni dhe korrupsionin nuk e bëjnë qytetarët që vijnë në zyrat tuaja. Ata detyrohen të japin para dhe unë nuk e di se kush i detyron qytetarët të japin para dhe se kujt ia japin paratë”, u është drejtuar ministri i Drejtësisë gjyqtarëve të pranishëm në sallën, ku u zhvillua analiza e punës së Gjykatës së Faktit dhe asaj të Apelit në qytetin e Vlorës për vitin e kaluar 2007. “Miq, vëllezër, shokë, ish-kolegë, nuk është ky vetëpastrimi, ju duhet të dilni vetë dhe të denonconi rastet e mos prisni t’u bëjnë kurthe të tjerët ose t’u filmojnë mediat. Ju duhet të jeni vetë ata që të denonconi njerëzit në radhët tuaja, ata që merren me korrupsion, ndryshe do të humbisni të gjitha konotacionet e pushtetit të pavarur dhe do të jeni thjesht administratorë të futur në disa zyra të bukura dhe do të lëvizni me makina luksoze, do të mblidhni ca para dhe më pas do të prisni kur vjen Inspektorati i Lartë i Ministrisë së Drejtësisë”, ka vijuar më tej fjalën e tij kreu i dikasterit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ai pohoi se, në momentin që ka marrë detyrën, ka gjetur një gjendje skandaloze të sistemit të drejtësisë dhe të papërgjegjshmërisë. Kjo gjë, sipas ministrit, tregohet qartë nga vendimet skandaloze që gjykatat kanë dhënë. “Unë jam i vendosur që të gjitha ankesat që do të paraqiten nga qytetarët shqiptarë, t’i analizoj dhe do të dërgoj inspektorët për kontroll për të analizuar ankesat e më pas të gjitha shkeljet do të dërgohen në KLD”, u shpreh më tej ministri i Drejtësisë. Ai kërkoi partneritet me pjesën e shëndoshë të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se, këtë partneritet deri më sot, fatkeqësisht nuk e ka gjetur. Ministri shtoi se, gjyqësori është i pavarur nga politika, por nuk mund të jetë i pavarur nga ligji dhe nga përgjegjësia publike, pasi ka efekt në jetën e qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›