Spahiu: Pa gjyqësor, s’ka shtet ligjor
• Shkarkimi nga detyra i kryetares së Gjykatës së Apelit të Vlorës Gjinovefa Gaba dhe dy gjyqtarëve të tjerë në të njëjtin institucion, ka qenë një mesazh i qartë.QEMAL BIRAKU/ VLORE Ndëshkimi i gjyqtarëve të Apelit të Vlorës është bërë me qëllimin për të mbrojtur integritetin e gjyqësorit. Kështu është shprehur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, dje në analizën e veprimtarisë gjyqësore të Qarkut Vlorë. Spahiu tha se, pa gjyqësor të drejtë dhe të pavarur nuk mund të ketë shtet ligjor. Apeli i Vlorës ka në juridiksionin e saj gjykatat e Shkallës së Parë në Vlorë, Lushnjë, Fier dhe Berat. Sipas nënkryetarit të KLD-së, çdo ndëshkim i gjyqtarëve dhe çdo shkarkim i tyre nga detyra nuk është lajm i mirë për drejtësinë. Në këtë kontekst, Spahiu tha se, shkarkimi i gjyqtarëve të Apelit të Vlorës nuk ka qenë një vendim i lehtë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndëshkimet“Pushimi nga puna i gjyqtarëve të Apelit të Vlorës ka qenë i vështirë, por ka qenë një mesazh i qartë, që për çdo gjyqtar apo drejtues gjykate që do të cenojë figurën dhe integritetin e gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të zbatojë ligjin dhe mbrojë integritetin e drejtësisë. Këtu nuk mund të tolerohet sepse e ardhmja e gjyqësorit është e rëndësishme, e ardhmja e gjyqësorit mbrohet duke mos toleruar ndaj gabimeve me dashje apo pa dashje të gjyqtarëve”, është shprehur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, dje në Vlorë. Ai shtoi se, analizat e punës së rretheve gjyqësore duhet të jenë një moment reflektimi, nga i cili KLD-ja të marrë ndikim për natyrën e projekteve dhe nismave të nevojshme që duhen marrë, me qëllim përmirësimin e sistemit gjyqësor. “Çdo vendim për masa ndëshkimi ndaj gjyqtarëve, nuk ndikon mirë për drejtësinë, por ne jemi të vendosur të mbrojmë gjyqësorin, gjyqtarët dhe t’i përfaqësojmë ata deri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, gjyqësori dhe gjyqtarët duhet të justifikojnë mbrojtjen tonë, duhet që të përmbushin disa detyrime që burojnë qoftë nga ligji themeltar, qoftë dhe nga detyrimet që lidhen me ligjet e aktet ligjore”, vijoi më tej nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. KritikatNënkryetari u shpreh se, aktualisht vihen re probleme serioze në dhënien e vendimeve nga gjykatat. Një pjesë e mirë e tyre për shkak të mungesës së arsyetimit dhe mbështetjes në ligj, rrëzohen në shkallët më të larta të gjyqësorit, duke u bërë kështu shkak edhe për shkeljen e të drejtave të qytetarëve. Spahiu theksoi se, pavarësia e gjyqësorit fillon që në momentin e hedhjes së shortit. “Që në atë moment përcaktohet e ardhmja dhe transparenca e një gjykimi”, është shprehur më tej Spahiu. Ai paralajmëroi të gjithë gjyqtarët e vendit se nuk do t’i shmangen kontrollit dhe analizës së hollësishme për punën e tyre. “Çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë do t’i nënshtrohet sistemit të vlerësimit, që ka në vetvete komponentët e një sistemi karriere për gjyqtarët, që do të vlerësohen pozitivisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Nga ana tjetër, çdo gjyqtar që me pa të drejtë ka mbajtur detyrën deri më sot do të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë, nëse vlerësohet i paaftë”, garantoi nënkryetari i KLD-së në fjalën e tij, mbajtur në analizën e veprimtarisë gjyqësore të Qarkut Vlorë për vitin e kaluar 2007.