Alarm për bombë te Ministria e Rendit
13/11/2004 Ministria e Rendit shkundet nga një alarm i rremë për praninë e një bombe. Rreth orës 11.00 të së djeshmes, te hyrja e jashtme e Galerisë së Arteve, pak metra larg Ministrisë së Rendit Publik, u gjet një qese e madhe prej plastmasi të zi. Asaj nuk i doli askush për zot dhe qëndronte atje prej mëse 1 ore. Roja i parkingut të Galerisë, i shqetësuar lajmëroi policinë për të verifikuar. Alarmi i dhënë sakaq kishte marrë dhenë. Sektori i antiterrorit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e para. Pak minuta më pas mbërriti toga xheniere së bashku me qenin e antieksplozivit. Kafsha e specializuar nuhati pranë qeses, por nuk shfaqi asnjë shenjë dyshimi. Pak sekonda më pas, plastmasi u bë objekt e goditjeve me sende të ndryshme nga ana e bluve. Për habinë e të gjithë kureshtarëve të grumbulluar për të ndjekur skenën e pazakontë, thesi kishte brenda letra dhe mbeturina të ndryshime. Burime policore deklaruan se ka gjasa që plastmasi të ishte harruar atje nga ndonjë endacak që merret me "inspektimin" e koshave të plehrave. Ditët e fundit në kryeqytet janë shutuar në masë alarmet e rreme për praninë e bombave në objekte të ndryshme. Por, deri më tash është hera e parë që një rast i tillë ngjet kaq pranë Ministrisë së Rendit Publik.