PS humbet shumicën në Këshillin Bashkiak të Vlorës
15/11/2004 Partia Socialiste ka humbur mazhorancën në Këshillin Bashkiak të qytetit të Vlorës. PS dhe pse ka mazhorancën në këshill, nuk arriti të votojë dje miratimin e 24 banesave për të pastrehët që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Një situatë e tillë është përsëritur dhe në disa mbledhje të tjera. Propozimi i drejtuesve të anëtarëve të Këshillit të PS-së për të kaluar pa votim 11 emra të pastrehësh sjellë pakënaqësinë e disa anëtarëve socialistë, të cilët kanë bashkuar votat e tyre me të opozitës. Në dyshimet që shkakton miratimi pa votim i 11 emrave nga lista e gjatë e të pastrehëve, duket se ka pjesën e vet dhe administrata e Bashkisë, e cila ka shfaqur preferenca në trajtimin me banesa të një kategorie të caktuar, të lidhur me pushtetin. Bashkë me këshilltarët e opozitës, që janë kundër miratimit pa votim të 11 emrave, janë deklaruar dhe këshilltarë të majtë. Duket se është ndarja e LSI-së që ka reflektuar dhe në Këshillin Bashkiak. Kjo situatë ka detyruar kryetarin e Bashkisë, Shpëtim Gjika, të kërkojë ndihmën e votës së këshilltarëve demokratë për miratimin e disa projektvendimeve. Ndërkohë, gjatë gjithë zhvillimit të mbledhjeve të këshillit për këtë qëllim, jashtë dyerve të sallës, familjarë të shumtë kanë akuzuar administratën e Bashkisë, se ka manipuluar listat e të pastrehëve, duke vendosur në lista njerëz që nuk janë aq nevojtarë. Për momentin, askush në këshill nuk është në gjendje të thotë se kur do të miratohen 24 banesat e para për të pastrehët, që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve apo dhe a do të miratohen me apo pa votim 11 familjet e përzgjedhura nga administrata dhe Këshilli Bashkiak.