E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arresti shtëpiak, masa e pakontrolluar nga policia

13/11/2004  TIRANË- Tre janë masat e arrestit, të cilat zbatohen nga gjykata për një person që ndalohet e më pas arrestohet. Arresti me burg pa afat, arresti shtëpiak dhe ai me detyrim paraqitjeje një herë në javë ose një herë në dy javë si të shihet e arsyeshme. Ndërsa arresti me burg dihet tashmë se zbatohet për personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore, arresti shtëpiak është po aq i rëndësishëm. Jo në pak raste, gjykata vendos të dërgojë në arrest shtëpiak shumë persona, të cilët kapen nga policia për krime të ndryshme. Në bazë të ligjit, të gjithë ata të arrestuar që dërgohen në shtëpi, duhet të jenë të ruajtur nga policia. Por në shumicën e rasteve arresti shtëpiak nuk zbatohet. Ky lloj arresti është i barabartë me atë të burgut pa afat. Ndërkohë është zbatuar nga gjykata edhe për persona që janë deklaruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Një rast tipik ka qenë ai i disa viteve më parë. Genci Ferhati, tashmë i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Denis Ginës dhe Median Shehut në vitin 2000, u dërgua në arrest shtëpie nga Gjykata e Tiranës. Megjithëse vepra penale për të cilën akuzohej paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore, policia neglizhoi. Genci Ferhati nuk e zbatonte vendimin e gjykatës. Ai u arrestua nga policia në nja kafe afër shtëpisë, ndërsa policët që ishin caktuar për të kryer shërbim te dera e shtëpisë, u pezulluan nga detyra. Ky është rast flagrant, por ka edhe raste të tjera që, të pandehurit, pasi marrin arrestin shtëpiak, i shmangen hetimit gjyqësor duke u larguar jashtë vendit. Nga ana e gjyqtarëve, këto lloj masash duhet të jepen për shumë të arrestuar, por më pas duhet të jetë policia ajo që të bëjë detyrën e vet. Sipas shumë gjyqtarëve, nuk ka pse të pandehurit që nuk paraqesin rrezikshmëri të mbyllen në burg pa afat. Ata përveçse mbipopullojnë burgjet, krijojnë edhe defiçite në buxhet. Policia ka arritur të ndërhyjë në rastet e arrestit shtëpiak, vetëm për personat të cilët kanë bërë jehonë në shtyp, për veprimtarinë e tyre kriminale. Një rast i tillë është ai i Elidon Kotorrit, i liruar me vendim të Gjykatës së Lartë pak ditë më parë. Për Kotorrin, janë vënë në dispozicion një numër i madh policësh. Ata kanë të drejtë të patrullojnë jashtë murit rrethues të vilës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›