Barcelona, “mbretëresha” e gjigantëve
Barcelona është ekipi më i mirë në botë midis 350 ekipeve të listuara në periudhën kohore midis 1 dhjetorit 2007 e deri më 30 nëntor 2008, duke lënë pas dy gjigantët anglezë, Mançester Junaitidin e Liverpulin, që ndajnë vendet 2-3 secili nga 263 pikë. Skuadra spanjolle, e drejtuare nga trajneri i ri karizmatik, Pep Guardiola, ka grumbulluar sipas Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS) 278 pikë. Në vend të katërt është Bajerni i Munihut (260 pikë) dhe në të pestin argjentinasja Boka Junior (258 pikë). Çelsi renditet i pesti me 250 pikë, ndërsa në të gjashtin francezët e Olimpikut të Lionit (237 pikë). Londinezja Arsenal (234 pikë) ndodhet në vendin e tetë, ndërsa çuditërisht ekipi më i mirë italian është Roma, e nënta, me 229 pikë. Vendi i dhjetë është zënë nga ekipi argjentinas Estudiantes (226 pikë). Përpara kampionit të Italisë, Interit, është edhe Fiorentina, e 11-ta (222 pikë), teksa zikaltërit e Murinjos renditen në vendin e 13-të (218 pikë) menjëherë pas Sao Paulos së Brazilit me 219 pikë. Nga ekipet e tjera italiane Milani ndodhet në vendin e 16-të, ndërsa Juventusi në të 18-tin.
20 ekipet e para
1. Barcelona (Spanjë) 278,0
2. Mançester Junajtid (Angli) 263,0
3 Liverpul (Angli) 263,0
4. Bajern Munih (Gjermani) 260,0
5. Boka Juniors (Argjentinë) 258,0
6. Çelsi (Angli) 250,0
7. Olimpik Lion (Francë) 237,0
8. Arsenal (Angli) 234,0
9. Roma (Itali) 229,0
10. Estudiantes (Argjentinë) 226,0
11. Fiorentina (Itali) 222,0
12. Sao Paulo (Brazil) 219,0
13. Inter (Itali) 218,0
14. Fluminense (Brazil) 214,0
15. Villarreal(Spanjë) 205,0
16. Milan (Itali) 202,0
17. Atletiko Madrid (Spanjë) 198,0
18. Juventus (Itali) 195,0
19. Sporting (Portugali) 193,0
20. Bordo (Francë) 191,0
Piersilvio Berluskoni: “Milani me zhgënjeu”
Djali i Silvio Berluskonit: “Mund të luftojmë akoma për titull”
“Milani më zhgënjeu, por mund të luftojmë akoma për titull”. Deklarata është e Piersilvio Berluskonit, djalit të padronit kuqezi, pas eliminimit në Kupën e Italisë nga Lacio e Igli Tares. Zëvendëspresidenti i Mediaset tha: “Deri tani kisha mbështetur idenë e forcimit të mesfushës, prandaj blemë edhe Ronaldinjon”. Në lidhje me “Topin e artë” të fituar nga Kristiano Ronaldo, Piersilvio shtoi: “Unë do t’ia kisha dhënë Kakasë”.
Shevçenko: “Jam i lumtur vetëm për golin”
“Më në fund e gjeta golin dhe kjo ndodhi pikërisht në San Siro. Ndihem më mirë, jam duke u rritur, jam i lumtur”. Këto janë fjalët e ukrainasit Andri Shevçenko pas shënimit të golit kundër Lacios në ndeshjen e humbur 2-1 pas kohës shtesë për Kupën e Italisë, që solli edhe eliminimin e kuqezinjve.
Mançester Siti, i interesuar për Bufon
Mançester Siti përgënjeshtroi ofertën rekord për portierin e Realit të Madridit, Iker Kazijas, por qëndron i interesuar për atë të Jubentusit, Xhanluixhi Bufon. Lajmi jepet nga gazeta angleze “Times”.
“Gjahtari”, dhurata për Krishtlindje
Klaas-Jan Huntelaar. Kjo është dhurata për Krishtlindje për trajnerin e Realit të Madridit, Bernd Shuster. Kampionët e Spanjës kanë bërë të tyrin sulmuesin e Ajaksit dhe të Kombëtares holandeze, Klaas-Jan Huntelaar. Shuma e paguar për 25-vjeçarin është të paktën 27 milionë euro. Huntelaar është lojtari më i shtrenjtë për të cilin madrilenët kanë shpenzuar në merkaton e dimrit. “Gjahtari”, siç thirret golashënuesi i njohur, do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare. Ai së bashku me Rud van Nistelrojin, Arjen Roben, Usley Sneijder, Rafael van der Vart dhe Rosston Drenthe, është holandezi i gjashtë te Reali i Madridit. Rekordin në Spanjë e mban Barcelona, me tetë holandezë, kur drejtohej nga trajneri Louis van Gaal, në vitin 1999, aq sa Barça quhej “FC Holand”.
Xavi drejt rinovimit me Barçën
Mesfushori Xavi Hernandez bëri të ditur se do të firmosë javën e ardhshme rinovimin e kontratës me klubin katalanas Barcelona deri në vitin 2014. Lajmi u dha nga e përditshmja spanjolle “As”. “Presidenti më dha fjalën e tij dhe unë i dhashë timen”. Xavi u klasifikua në vendin e pestë në renditjen e “Topit të artë” të fituar nga portugezi Kristiano Ronaldo.
UEFA, miliona euro për klubet
43.5 milionë euro për lejimin e lojtarëve në Euro 2008
UEFA do të derdhë 43.5 milionë euro për 180 klubet europiane që lejuan lojtarët e tyre të merrnin pjesë në finalet e Kampionatit Europian 2008. Rimbursimi është kalkuluar në bazë të numrit të lojtarëve që një ekip pati në ekipet kombëtare. Skuadra që do të përfitojë më shumë është Verder Bremen, gati 1.5 milionë euro, i ndjekur nga Lioni e Bajerni i Munihut. Skuadrat italiane në total do të përfitojnë 4 milionë e 250 mijë euro. Ekipi më rimbursuar do të jetë Juventusi, me 644 mijë euro.
5 Dhjetor 2008