E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, çmim ndërkombëtar për paqen

Titulli "Kalorës për Paqen e Mijëvjeçarit" i është dorëzuar presidentit të republikës gjatë ditës së djeshme në Itali

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u nderua dje pasdite me titullin ndërkombëtar "Kalorës për Paqen e Mijëvjeçarit" nga Bashkimi Ndërkombëtar i Paqes i themeluar nga Prof. Xhanfranko Kosta në vitin 1978. I ndodhur në Itali në kuadrin e një vizite zyrtare, Presidenti Topi ka marrë këtë titull mjaft të rëndësishëm për rolin e tij në mbrojtje të paqes, solidaritetit dhe dialogut, duke shërbyer si faktor moderues dhe ndikues për paqen në rajonin ballkanik dhe më gjerë. Ky çmim është dhënë gjithnjë në shërbim të demokracisë dhe vlerave më të larta njerëzore në botë në gjurmët e humanistes së madhe dhe bashkatdhetares së shquar, Nënë Terezës. Duke shprehur mirënjohjen ndaj drejtuesve të Bashkimit Ndërkombëtar të Paqes, Topi iu drejtua të pranishmeve duke thënë se ndihet tepër i nderuar dhe i prekur nga ky titull, duke premtuar se do t’i mbajë lart ato vlera duke i çuar edhe më përpara në shërbim të paqes, demokracisë dhe përparimit e begatisë botërore. Presidenti theksoi idenë se tashmë Shqipëria ndodhet në një pozicion tjetër strategjik, sepse është në prag të futjes me të drejta të plota në NATO. “Po krijojmë një klimë tjetër, shumë më të qetë në Ballkan. Pas 17 shkurtit 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kemi të bëjmë me një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Çdo ditë e më tepër, hap pas hapi luftojmë për paqen, për të përmbushur standardet dhe për ta bërë ëndrrën euroatlantike një realitet të prekshëm,”- tha Topi. Dorëzimi i titullit u parapri nga një pritje me fëmijë të veshur me kostumet tradicionale shqiptare. Presidenti Topi, zhvilloi dje gjithashtu një takim edhe me Kryetaren e Bashkisë së Milanos, Leticia Morati. Në këtë takim u nënvizua nevoja që marrëdhëniet e shkëlqyera politike, dhe raportet e miqësisë tradicionale duhet të konkretizohen edhe me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›