Dervishaj: Ne nuk i kemi bërë ofertë Ramës
20/01/2005 Zëdhënësi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sokol Dervishaj, ka mohuar të gjithë zërat mediatike, të cilat kanë politizuar takimin e tri ditëve më parë Braho-Rama-Brokaj. Dervishaj tha në një konferencë për shtypin se "nuk ka pasur asnjë lloj oferte politike në adresë të zotit Rama nga ana e përfaqësuesve të LSI-së". Në këtë mënyrë, Lëvizja Socialiste për Integrim i qëndron mendimit se nuk ka dhënë oferta bashkëpunimi, pasi ai që dëshiron të jetë anëtar i kësaj force nuk ka pse t'i bëhet ofertë. Sipas Dervishaj, "çdo anëtar i LSI-së është i lirë të takojë këdo dhe se takimi nuk ka pasur ndonjë ngjyrim institucional". Zëdhënësi politik i LSI-së ka hedhur poshtë bashkëpunimet e mundshme me kryebashkiakun në aspektin politik. Nga ana tjetër bëhet e ditur se megjithë takimet Edi Rama është pjesë e stafit të Partisë Socialiste për hartimin e platformës elektorale për zgjedhjet. Ndërkohë që dhe komentet nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste nuk ka pasur shqetësime për këtë takim. Kafet mes miqsh nuk kanë nevojë për komente dhe natyrisht nuk duhet të marrin ngjyrime politike. Nga deputeti socialist, Elmaz Sherifi, ky takim është cilësuar si një luftë mediatike që po bën LSI-ja. Sipas tij, është qesharake të trajtohet si një ngjarje e madhe, një takim normal. Ndërkohë që vetë sebepi i debatit, kryebashkiaku Rama, nuk ka dashur të shprehet për mediat për atë se çafrë është diskutuar me dy miqtë e tij.