Pëllumbi: Brenda të hënës deputetët të dorëzojnë pyetjet
20/01/2005 Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, është shprehur dje në një prononcim për "Metropol" se të gjithë deputetët, që do të kërkojnë interpelancë me ministrat, duhet të paraqesin kërkesën dhe pyetjet që ata kanë brenda orës 14:00, të ditës së hënë. Sipas tij, seanca, që sipas rregullores duhej të zhvillohej sot, nuk është bërë, për shkak se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga deputetët. Sipas rregullores së funksionimit të Kuvendit, në çdo ditë të mërkurë, ministrat, për të cilët janë paraqitur pyetje, janë të detyruar të raportojnë në Kuvend. Burimet nga partitë opozitare kanë bërë të ditur se do të shfrytëzojnë të drejtën që u jep ligji, për të kërkuar interpelancë me ministrin e Arsimit dhe atë të Transporteve, pasi në sektorët e tyre po zhvillohen greva dhe protesta të herëpashershme. Ndërsa një tjetër pikë pritet të jetë dhe një interpelancë me ministrin e Shtetit në lidhje me shpalljen e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Megjithatë, shumica e deputetëve nuk janë stabilizuar ende me rregulloren e re, pasi deri dje ata ishin të paqartë për mënyrën e kërkesës që duhet t´i bëjnë një ministri për interpelancë. Një tjetër shkak i dështimit të seancës së parë, është dhe fakti se deputetët janë duke plotësuar formularët, ku do të shprehin të drejtën e tyre për grupin parlamentar dhe për komisionin ku do të bëjnë pjesë. Ky ka qenë dhe një nga shkaqet pse në tryezën e kreut të Kuvendit nuk është paraqitur asnjë kërkesë për interpelancën e detyrueshme me ministrat.