E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas një jave përfundon vlerësimi i çmimit të pronave

20/01/2005  

Rajoni i parë Fieri, Berati dhe Tirana

Rajoni i dytë Vlora, Gjirokastra dhe Durrësi.

Rajoni i tretë Shkodra Lezha dhe Dibra.

Rajoni i katërt Korça, Kukësi dhe Elbasani.

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave, do të kalojë për miratim javën e ardhshme metodikën e vlerësimit të çmimeve për tokat në Shqipëri. Burimet kanë bërë të ditur se deri më tani është rënë dakord mbi një sërë kriteresh, ku do të bazohet vendosja e çmimit të pronës. Ndaj, duke parë mënyrën e zhvillimit të diskutimeve, theksohet se deri ditën e martë, do të përfundojë raporti i këtij Komiteti. Pas kësaj, vendimi do të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, për t'i hapur rrugën kështu nisjes së procesit të verifikimit të pronave të lira, që janë në Shqipëri. Anëtarët e Komitetit të Pronave kanë vlerësuar se në bashkëpunim me ekspertët në fusha të veçanta është arritur konsensusi në përcaktimin e çmimit për tokat truall, për tokat në zonat industriale, për tokat livadh dhe pyjet. Ndërsa, është duke u diskutuar për tokat turistike dhe për tokat e cilësuara bujqësore. Në bashkëpunim me Komitetin e Kthimit të Pronave janë përfshirë në diskutime dhe pedagogë të njohur të universitetit në Tiranë.

Diskutimi

Një pikë delikate në Komitetin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është cilësuar mënyra e vlerësimit të çmimit të tokave bujqësore. Burimet thanë se shkak është bërë mungesa e statistikave për fitimet që jep një metër katror tokë bujqësore. "Që prej vitit 1991, asnjë institucion nuk është në gjendje të tregojë se sa fitime jep një tokë e caktuar", shprehen burimet. Megjithatë, palët kanë rënë dakord për të klasifikuar tokat në katër rajone, sipas perspektivës për zhvillimin. Në metodikën e paraqitur paraprakisht, në rajonin e parë, që do të ketë dhe çmimin më të lartë, do të përfshihen Fieri, Berati dhe Tirana, këto në rang Qarku. Në rajonin e dytë janë përfshirë, Vlora, Gjirokastra dhe Durrësi. Në rajonin e tretë janë Shkodra, Lezha dhe Dibra. Në rajonin e katërt janë Korça, Kukësi dhe Elbasani.

Formula

Sipas propozimit paraprak, çmimi i tokës bujqësore do të vendoset me formulën. (100% fitimi neto)/ % e interesit bankar, shumëzuar me koefiçientin e ujitjes, shumëzuar me koefiçientin e zhvillimit, shumëzuar me koefiçientin e përmirësimit, shumëzuar me koefiçientin e distancës nga qendrat e mëdha. Ekspertët, mësohet se, kanë paraqitur të dhëna për të gjitha kërkesat e formulës. Ndërsa pritet një sqarim më i detajuar për nxjerrjen e fitimit neto nga një pronë e caktuar. Megjithatë, si përfaqësuesit e pronarëve ashtu dhe anëtarët e tjerë të komitetit kanë shprehur besimin se javën e ardhshme do të përfundojë metodika e plotë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›