E Diel, 1 Nëntor 2026

LZHK: PD e tregoi bashkëpunimin me Kodin

20/01/2005  Përfaqësuesit e LZHK-së janë shfaqur skeptikë ndaj ftesës së kryetarit të PD-së për një koalicion të mundshëm të partive opozitare në zgjedhjet e ardhshme. Dashamir Shehi tha dje për "Metropol" se Lëvizja për Zhvillim Kobëtar nuk e sheh me interes këtë ftesë, pasi PD-ja e tregoi veten se i mungon vullneti i bashkëpunimit që në hartimin e kodit elektoral, kur përjashtoi nga ky proces përfaqësuesit e LZHK-së. "Deri më tani nuk kemi ndonjë ftesë zyrtare. Nuk e shohim me ndonjë interes të madh bashkëpunimi u pa që me kodin elektoral, ku ne nuk u pranuam nga Partia Demokratike, por, gjithsesi, në rast se do të na bëhej kjo ftesë, atëherë kreu i lëvizjes, së bashku me ne do të mblidhemi dhe do të shohim se si do të veprojmë", tha Shehi. Gjithsesi, ideja e një tryeze nuk është konkretizuar ende përfundimisht, ndërkohë që partitë e mbledhura rreth Leka Zogut, pas daljes së tyre nën siglën e LZHK-së, duket se i kanë rritur së tepërmi pretendimet elektorale. Nga ana tjetër prej shumë anëtarëve të PD-së, LZHK-ja shihet si një lëvizje e inspiruar nga mazhoranca e ngjashme me LSI-në, që është krijuar për të ndarë votat e opozitës, ndërsa reformatorët e Pollos e kanë cilësuar atë si një lëvizje të partive të vogla për të mbijetuar në politikën shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›