E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi konceptin e Elitave në Shqipëri

20/01/2005  

Në vendin tonë është spekuluar në mënyrë të vazhdueshme historikisht me përmbajtjen e termit elita. Vërej se në Shqipëri nuk është studiuar kurrë elita shqiptare, nga pikëpamja sociologjike dhe filozofisë politike, qoftë për të analizuar prejardhjen e saj në një moment të caktuar të historisë sonë kombëtare, qoftë për të konstatuar qëndrueshmërinë ose jo të saj përballë përcaktimit dhe perceptimit universal të terminologjisë elitë, qoftë dhe për të shpjeguar arsyet e goditjeve apokaliptike që ka marrë elita, ose elitat, të paktën dy herë gjatë shekullit të kaluar në historinë tonë, 1912-1913, kur elita shqiptare gjendet përballë detyrimit kombëtar dhe jo më imperial dhe momenti i dytë është 46-47 dhe në vazhdim. Pra, mungesa e një analize shkencore, metodologjisë së standardeve, që presupozon këtë shkencë bën që të kemi një konceptim të turbullt për elitat në Shqipëri, të kemi një konceptim të papërcaktuar qartë, lidhur me rolin e tyre, përbërjen e tyre, origjinën e tyre dhe me mënyrën se si këto elita shqiptare gjatë historisë kanë kthyer sytë drejt fatit të Shqipërisë. Në vazhdim, do të thoja që një pyetje thelbësore, që doja të shtroja është që: "A kemi patur ne një elitë në kuptim e një klase të ndërgjegjshme për forcën e vet, rrjedhimisht edhe për dobësitë e veta. Unë do të isha gati të thoja edhe po, edhe jo. Jo sepse ne kemi patur individë të shquar gjatë shekullit 20, të cilët nuk kanë përbërë dot elitë së bashku, përderisa nuk kanë arritur të organizohen në mënyrë që të marrin forcën e nevojshme në evolucionin e shoqërisë. Nga ana tjetër, unë do të thoja se vetë shoqëria shqiptare ka patur një marrëdhënie të paqartë me elitat e veta. Kur them marrëdhënie të paqarta kam parasysh në thelb se, marrëdhëniet e shoqërisë shqiptare për shkak të prapambetjes së saj, për shkak të përbërjes së saj rurale, për shkak të nivelit të saj arsimor, në përgjithësi kanë patur në thelb idolatrinë. Idolatria ndaj elitave shpjegon edhe paqëndrueshmërinë e marrëdhënieve të shoqërisë shqiptare me elitat e veta. Shqiptarët i kanë masakruar elitat e veta me të njëjtin zell siç dhe i kanë adhuruar në një moment të caktuar. Pra, lehtësia me të cilën masa e njerëzve është vërsulur mbi elitat e veta, është manipuluar nga elitat që ngjiteshin dhe ka masakruar edhe fizikisht elitat paraardhëse, tregon se marrëdhëniet e komunitetit me elitat kanë qenë idolatrike dhe mbeten ende në një farë mase idolatrike. Së dyti, elitat shqiptare nuk kanë realizuar, aq sa konstatoj unë, një nga parimet e domosdoshme të mbijetesës dhe të fuqizimit të tyre, që është qarkullimi, qarkullimi dhe ripërtëritja. Kjo do të thotë se ky është një proces që kryhet nga vetë elitat, nuk është proces që merr origjinën familjare dhe si i tillë nuk ka funksionuar gjatë shekullit 20. Një aspekt tjetër, që unë do të doja të tërhiqja vëmendjen, është se elita shqiptare, konstatoj unë të paktën, që nga rilindja dhe në vijim ka patur një specifikë që nuk e gjejmë tek elitat e tjera të vendeve evropiane, pra nuk shfaqen të strukturuara sipas skemava tradicionale, por i gjejmë të mbivendosura tek i njëjti person apo tek i njëjti komunitet, e njëjta bashkësi e grup edhe atë që duhet të ishte elita politike, elita letrare, ushtarake, fetare, funksionare. Psh., Naim Frashëri. Ky lloj përqëndrimi tek i njëjti njeri, për mua, ka patur defekte negative në mënyërn se si elitat shqiptare kanë marrë përgjegjësitë e tyre ndaj kombit, kanë marrë përgjegjësitë e tyre ndaj hitorisë, kanë sugjeruar vazhdimësinë e vet dhe kanë rënë viktimë e kësaj historie. Do të doja të tërhiqja vëmendjen edhe në një aspekt që është specifikë shqiptare, që është frika nga termat. Nëse flasim për elita, do të flasim për oligarki, por komentacioni negativ që në historinë politike shqiptare ka marrë termin oligarki bën që vetë elitat, në një farë mënyrë, të ndiejnë turp të konsiderohen pjesë e një oligarkie dhe t'i shmangen asaj në mënyrë mekanike, por që në të vërtetë nuk mund të thuash se gjithmonë ka efekte pozitive. Ose termi luftë e klasave, i cili në terminologjinë marksiste politike, komuniste, ka atë komentacion dhe pasoja që ne i njohim të gjithë, në të vërtetë është një term i cili përdoret në teoritë mbi elitat për të treguar marrëdhëniet e autoritetit të tyre si klasë me të tjerë. Pra, nëpërmjet luftës së klasave, elitat konsolidojnë pushtetin e tyre dhe bëhen të dobishme, duke i shërbyer vetvetes edhe për shoqërinë, shtetin, kombin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›