Dervishaj: ”Votimi rikonfirmoi buxhetin për Tiranën”
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, u shpreh se tashmë buxheti i Bashkisë së Tiranës është një çështje e kaluar dhe pritet vetëm lajmërimi i prefektit të Tiranës për kontestimet që ai ka pasur për këtë buxhet. “Dje u rikonfirmua buxheti, por do të ketë edhe një njoftim zyrtar me prefektin për kontestimet që ai ka paraqitur”, - u shpreh Dervishaj. Sipas tij, mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak ishte mbledhja e radhës, që kishte një rend të përcaktuar, ku u votua rendi i ditës dhe u procedua mbi këtë rend dite. Dervishaj u shpreh se në funksionin e kryetarit të Këshillit, ai do të komunikojë zyrtarisht me Keçin për kontestimin që ka pasur për buxhetin e Tiranës. Në funksionin e këshilltarit të LSI-së, Dervishaj u shpreh se LSI-ja nuk është deklaruar kundër, por donte të dinte më tepër për fondin e buxhetit dhe për detajimin e strukturës organizative të ndërmarrjeve në varësi të bashkisë, të cilat u plotësuan. Dervishaj u shpreh se Këshilli përfshiu kërkesën e Keçit si një pikë të veçantë, i cili kërkon që të ketë një njoftim zyrtar për Keçin.
1 Prill 2009