Inspektorati i Punës përcakton orët javore për punët e vështira
Inspektorati Shtetëror i Punës ka përcaktuar kufirin e orëve javore të punës që duhet të plotësojë një i punësuar në punët e vështira. Kështu, sipas vendimit të marrë nga Inspektorati, që pritet të miratohet së shpejti edhe nga qeveria, punëdhënësit dhe punëmarrësit, me marrëveshje dypalëshe, për këto vende pune duhet të parashikojnë që kohëzgjatja javore e punës të mos kalojë 48 orë në javë, përfshirë në këtë kohë edhe oraret suplementare. Specialistët e Inspektoratit të Punës shpjegojnë se më konkretisht kjo do të thotë se në Kodin e Punës parashikohet që koha javore është 40 orë në javë, por për arsye pune, një i punësuar mund të punojë deri në 50 orë në javë. Sipas tyre, në rastet kur një i punësuar do ta kalojë 50 orët e përcaktuara, duhet të marrë leje në Inspektoratin e Punës.
Javën e kaluar, është miratuar Dokumenti Strategjik Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Për herë të parë vendi ynë do të ketë një dokument të tillë, që do të jetë rregullatori kryesor në marrëdhëniet e punës. Dokumenti evidenton sektorët më problematikë, ku shqetësues është numri i lartë i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, ku veçohen ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve etj. Sipas drejtuesve të dikasterit të Punës, pritet që ky ligj të përfundojë brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, që nënkupton realizmin e tij brenda mandatit të qeverisë “Berisha”.
J. Tashi
Aktiviteti fizik shmang një numër sëmundjesh
Aktiviteti fizik është i domosdoshëm për të pasur një shëndet të mirë, fizik dhe mendor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njerëzit që bëjnë rregullisht aktivitet fizik të moderuar, kanë më pak mundësi të preken nga sëmundjet kronike si diabeti tip 2, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje tumorale apo sëmundjet mendore. Aktiviteti fizik i moderuar përfshin ecjen e shpejtë, vallëzim, punë në kopsht, punë në shtëpi, lojëra dhe sporte me fëmijë, mbajtja/lëvizja e ngarkesave më pak se 20 kg etj.
OBSH-ja rekomandon së paku 30 minuta aktivitet fizik të moderuar gjatë 5 ditëve të javës. Sipas OBSH-së, kjo do të reduktojë rrezikun nga sëmundjet e zemrës, nga obeziteti, diabeti deri në 50% dhe do të zvogëlojë sëmundjen hipertensive dhe pasojat psikologjike të jetës sedentare si stresi, ankthi, depresioni etj. Ndërkohë që të ngasësh biçikletën në vend të makinës është një ndër aktivitetet që sjell shumë të mira për shëndetin, si fizkulturë kardiovaskulare, rrit forcën fizike, ekuilibrin dhe fleksibilitetin, si dhe djeg shumë kalori. Sipas specialistëve të shëndetit, ky aktivitet mund të bëhet nga njerëz të të gjitha moshave. Specialistët pohojnë se është provuar që të ngasësh biçikletën ndikon në shëndetin mendor, pasi ul dukshëm stresin.
1 Prill 2009