E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima, kundër deklaratave të Ramës për taksat e biznesit



Zëvendësministri i Financave, Florion Mima, reagon ndaj deklaratave të kryetarit të Bashkisë për rritje të taksës nga qeveria. Ai i konsideroi si të pavërteta deklaratat e Ramës se bizneset e vogla penalizohen nga prezantimi i taksës së sheshtë prej 10 % që ato do të duhet të paguajnë në fund të tremujorit të parë për vitin 2009 për aktivitetin e vitit 2008. Sipas tij, bizneset e vogla, të cilat paguajnë kuotat fikse në Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera të vendit, në përfundim të vitit do të duhet të bëjnë rakordimet me pushtetin qendror, duke dorëzuar një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve. “Ne presim që në fund të këtij procesi, shumica e bizneseve jo vetëm që nuk duhet të paguajnë taksë shtesë, por në të kundërt, pjesa më e madhe e tyre do të rimbursohen për tatimin e paguar tepër në komuna dhe bashki”, - deklaroi Mima. Ndërsa për rimbursimin, ai deklaroi se do të përballohet totalisht nga fondet e pushtetit qendror dhe nëse do të ketë të ardhura shtesë ato do të transferohen pranë pushtetit vendor. Mima theksoi se me vendim të njëanshëm të Këshillit Bashkiak është shtuar një taksë e re, që ka të bëjë me të gjitha kamionçinat, kamionët, mikrobusët, autobusët, me targa të rretheve të vendit, por që hyjnë për furnizime a transport në kryeqytet. Ato do të duhet të paguajnë 1 mijë lekë taksë. Këtë veprim të Bashkisë së Tiranës, Mima e konsideroi të pavend.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›