Dervishi: Patentat, qeveria dezinformoi qytetarët
Socialistët e konsideruan dezinformacion të radhës deklarimin e fundit të qeverisë për lehtësirat në lëvizjet e shtetasve tanë në Itali me patenta shqiptare. Deputeti Besnik Dervishi tha se kjo marrëveshje është nënshkruar për herë të parë që në vitin 1993, por për shkak të mungesës totale të sigurisë që paraqitnin institucionet shqiptare dhe dokumentacioni i lëshuar prej tyre që kishte të bënte me lejet e drejtimit, ajo u pezullua. "Në vitin 2000, gjatë bisedimeve të komisionit dypalësh, më në fund u arrit që të negociohej me palën italiane, dhe kërkesa e tyre për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit konsistonte në miratimin e një modeli të lejes së drejtimit nga pala shqiptare me elemente sigurie, gjë e cila u realizua që në vitin 2004", sqaroi Dervishi. Menjëherë, shtoi ai, në takimin e radhës janë depozituar modelet me elementë sigurie dhe kjo histori duhet të kishte përfunduar maksimumi që në vitin 2006. "Pra, si edhe në rastin e mjaft marrëveshjeve të tjera për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie, edhe në këtë rast është akumuluar një vonesë të paktën prej 3 vitesh", u shpreh Dervishi. PS konstatoi se shitet si arritje e qeverisë ajo që është e sanksionuar në Kodin Rrugor Italian, e drejta e shtetasve të huaj për të përdorur patentën e shtetit të origjinës deri në një vit.