E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Të hapen të gjitha dosjet

Opozita është e gatshme të hapen dosjet. Kështu është shprehur dje në Kuvend nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, i cili gjatë diskutimit të tij nuk e ka fshehur frikën se shumë prej këtyre dosjeve dhe ato më të rëndësishmet janë zhdukur tashmë. Duke folur në emër të PS-së, Braçe ka theksuar se nga opozita nuk do të ketë asnjë pengesë në lidhje me këtë veprim, ndaj ai ka theksuar se do të ishte mirë të hapeshin edhe dosjet që ndodhen në arkivin e shtetit. "E kemi thënë qartë që jemi për hapjen e dosjeve, madje edhe të atyre që ndodhen në arkivin e shtetit, duke u dhënë të drejtë shqiptarëve që të kenë akses në këto dosje. Por, a ekzistojnë realisht dosjet? Kemi të dhëna se shumë prej tyre janë zhdukur, veçanërisht ato të UDB-së, të viteve ‘92-‘95 dhe kjo nuk është diçka e rëndësishme" është shprehur Braçe. Nënkryetari i grupit socialist ka akuzuar mazhorancën për qëndrim cinik dhe aspak serioz lidhur me hapjen e dosjeve, duke theksuar se "debati po bëhet si shantazh ndaj opozitës, ose në rastin më të keq, si formë për të larguar vëmendjen ndaj tragjedive që po u marrin jetën shqiptarëve". Debati për hapjen ose jo të dosjeve ka disa muaj që ka nisur, por gjithçka ka mbetur në kuadrin e deklaratave për shtyp, pasi nuk është hedhur asnjë hap konkret për hartimin e një drafti unik të pranuar nga të gjitha palët. Aktualisht gjithçka ka "ngrirë" në diskutimin e këtij projektligji. Para pak ditësh mazhoranca bëri një ftesë për bashkëpunim me opozitën, duke pranuar se hiqte dorë nga dy pretendimet e saj, të cilat kishin shkaktuar edhe përplasjen me opozitën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›