E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Duhet ta kthejmë shtetin në fshat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi dje "Dialogun me Shqipërinë" për Bujqësinë dhe Zhvillimin rural në fshatin Mushan të Komunës Dajç. "Prej shumë vitesh fshati jeton në një proces rrënimi, degradimi, varfërimi, papunësie dhe jemi të vetëdijshëm se politika kujtohet për fshatin vetëm në fushata elektorale", tha Rama. Sipas tij, duhet të jemi me njerëzit jo për t‘ju marrë votën, por në radhë të parë për t‘ju dëgjuar hallin dhe jo kur është fushata politike dhe kur politika ka hallin të mbledhë vota. "Jemi këtu sot, për të dëgjuar, kuptuar, komunikuar dhe për të vënë pikat mbi ‘i‘ dhe çfarë duhet të bëjmë për zgjidhjen e problemeve. Sado të sakrificës dhe kokulur, ju nuk e keni mundësinë t‘ia dilni të vetëm", nënvizoi Rama. Kreu i socialistëve vlerësoi se fshati është kthyer në një hapësirë tërësisht të braktisur nga shteti dhe të pushtuar nga varfëria, papunësia e problemet e rënda sociale. "Fshati sot është një hapësirë ku mungon prania e shtetit dhe ku kthetrat e varfërisë e papunësisë kanë mbërthyer të gjitha familjet në fshat, që mbijetojnë falë mbështetjes së tyre të paçmuar të fëmijëve emigrantë, të cilët jetojnë falë një punë me shumë sakrifica dhe një prodhimi fare modest, sa për të mbajtur frymën gjallë", vijoi ai. Rama u shpreh se duhet të rikthehet shteti në fshat, prania dhe dora e shtetit në krahë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në fshat. "Ne duam t‘i japim një kuptim të ri jetës në fshat, duke ndërtuar një bashkim të ri mes shtetit, bujqve dhe fermerëve shqiptarë. Ka një eksperiencë dhe shembuj shumë të mirë se si njerëzit të jetojnë me punën e tyre të ndershme", shtoi Rama. Lideri i opozitës insistoi se vizioni i tij është për të rikthyer këtë marrëdhënie të re mes qeverisë dhe fshatit. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet, vijoi ai, dhe është e pamundur që të dorëzohemi në këtë betejë me varfërinë, papunësinë dhe të gjitha këto plagë të rënda sociale, që janë të hapura kudo dhe veçanërisht në fshat. Sipas tij, është e pamundur që ne të jetojmë nën një qeverisje, e cila e ka braktisur fshatin, prodhimin, njerëzit e punës dhe çdo hapësirë ku shteti duhet të jetë prezent dhe ku mungesa e shtetit është një tradhti ndaj interesave të njerëzve. "E pra, është koha që t‘i japim fund kësaj historie dhe të hapim një histori të re partneriteti, aleance, bashkimi mes atyre që janë të votuar dhe atyre që votojnë", kërkoi Rama, teksa shtoi se janë të votuarit që duhet t‘ju shërbejnë votuesve dhe jo votuesit t‘ju nënshtrohen të votuarve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›