E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: PS-PD po heqin anëtarët e LSI-së në komisione

Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, hodhi dje akuza të ashpra ndaj lidershipit të Partisë Socialiste. Sipas tij, PS e ka vënë si kusht kryesor për të bashkëpunuar për Reformën Zgjedhore heqjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga komisionet e tjera të përfaqësuesve të LSI-së. "Pra, ata nuk japin konsensus për reformën, nëse LSI-ja do të ketë anëtarë nëpër komisione zgjedhore", tha Prifti. Teksa shtoi se dy partitë e vjetra nuk i kanë sjellë Kuvendit draftin e ri të Kodit Zgjedhor, përsëri vazhdojnë të rriten kostot tona për bërjen e Reformës Zgjedhore. "Ky është një fakt tepër i rëndë, është një fakt tepër komprometues për Partinë Socialiste, e cila duhet të ishte në krye të reformës demokratike në Shqipëri. Demokracia është në fakt liri dhe gjithëpërfshirje", vlerësoi Prifti. LSI u bëri thirrje forcave politike të mos e shtojnë koston që ka Shqipëria për procesin e integrimit e ta sjellin sa më shpejt në Kuvend Reformën Zgjedhore. "Kostoja e një reforme zgjedhore të dështuar, kostoja e zgjedhjeve të dështuara, kthimi në një diktaturë me dy koka është shumë e rrezikshme për Shqipërinë", shtoi Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›