Shtyhet me dy javë Komisioni për Reformën Zgjedhore
Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore do të punojë deri në mes të muajit nëntor. Dje, Parlamenti me 81 vota pro miratoi një tjetër shtyrje, duke u angazhuar për të përmbyllur reformën sa më parë. Vetëm shtatë vota rezultuan të ishin kundër shtyrjes dhe dy ishin abstenime. Në grupin e kundërshtuesve figuruan deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim: Ndre Legisi, Dritan Prifti, Spartak Braho, Nikollaq Neranxi dhe Pëllumb Xhufi. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kreu i aleancistëve, Neritan Ceka, dhe kryetari i PS91, Petro Koçi, teksa abstenuan deputeti socialist, Luan Memushi dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule. I menjëhershëm ishte reagimi i partive të vogla që hodhën kritika në drejtim të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për vonesat. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës, Fatmir Xhafa, tha se "nuk ka mundësi të japë një përgjigje serioze për gjëra qesharake dhe për deklarata të përçarta". Akuzave të LSI-së se po shkëmbehet kodi zgjedhor me ligjin për prokurorinë, Xhafa iu përgjigj se "nuk ka asnjë lidhje mes këtyre të dyjave në mënyrë absolute, por përçarja është personale dhe nuk kam ndërmend të merrem me këtë gjë". Sipas tij, Kodi Zgjedhor nga pikëpamja e punës së ekspertëve pothuajse ka përfunduar. "Ka mbetur pjesa për pushtetin vendor. Janë rregullimet e fundit dhe disa gjëra që lidhen me një aneks që duhet t‘i bashkëngjitet kodit lidhur me përcaktimin e zonave të administrimit zgjedhor në një qark", sqaroi Xhafa. "Kurse për ligjin për prokurorinë, shtoi ai, unë nuk di që deri më sot të ketë ndonjë projektligj që të jetë bërë publik për prokurorinë. Kur ai bëhet publik nga Ministria e drejtësisë, kur ai të shkojë në qeveri dhe pastaj të vijë në Parlament, fillon diskutimi dhe debati se cili do të jetë qëndrimi konkret për këtë projekt", theksoi Xhafa. Qëndrimi ynë, insistoi ai, është njohur. Ne ndryshojmë në koncepte, në vizione lidhur me qëndrimin ndaj institucionit të akuzës. "Ne do u përmbahemi atyre qëndrimeve që kemi bërë publike për këtë gjë", u angazhua Xhafa. Komisioni Zgjedhor, i ngritur me një vendim të Kuvendit në muajin qershor, ka për detyrë hartimin e amendamenteve të nevojshme ligjore për ruajtjen e standardeve në zgjedhje, mbështetur në rekomandimet e paraqitura në raportin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR. Skeptik në raport me punën e komisionit janë shfaqur edhe krerët e partive të vogla të koalicionit të djathtë në qeverisje.