E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Shqipëria të hetojë thellësisht "Gërdecin"

Një agjenci lajmesh ballkanike ka botuar dje disa nga pjesët e raport-progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili do të shpërndahet më 5 nëntor. "Balkan Insight" ka siguruar disa pjesë nga ky raport, në të cilin theksohet se "Komisioni Evropian i bën thirrje Shqipërisë të hetojë në mënyrë të gjithanshme tragjedinë e Gërdecit, ku në mesditën e 15 marsit mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën mbi 300 vetë". Raporti i BE-së për vitin 2008 thekson se Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. "Përveç disa progreseve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfida më e madhe", thuhet në raport. Komisioni Evropian thekson se një strategji e gjithanshme e luftës kundër korrupsionit nuk ka filluar dhe shton se korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze dhe më i zgjeruari. Raporti shton se "lufta e korrupsionit në sistemin e gjyqësorit mbetet një nga çështjet kyçe" dhe bën thirrje për një investigim të gjithanshëm të tragjedisë së Gërdecit. "Duhet më shumë punë në të gjitha aspektet e çështjes, duke përfshirë përgjegjshmërinë e gjyqësorit dhe transparencën e financimit të partive politike", thekson raporti. Raporti vëren vetëm një progres të limituar në parandalimin e pastrimit të parave, si dhe në luftën kundër trafikut të drogës, i cili "mbetet një problem serioz". Shqipëria ka mungesë të një infrastrukture gjyqësore, thotë raporti, duke theksuar se "mungon një reformë strategjike për sistemin e drejtësisë". Sipas tij, Shqipëria ka nevojë të ndërmarrë përpjekje të mëdha për të vendosur një shërbim civil të pavarur dhe eficent. Shqipëria ka bërë progres në legjislacion, në polici me standardet evropiane dhe në implementimin e marrëveshjes interim. Sidoqoftë, në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë së vendit ka bërë një progres "jo të barabartë", prandaj Komisioni Evropian e konsideron se është e nevojshme përmirësimi tërësor. Gjithashtu kërkohet konsolidimi i funksionimit të institucioneve shtetërore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›